Vdekja

Justinian Topulli

Vdekja është gjëja më normale në këtë botë, edhe pse ajo është gjëja më e pakëndshme për njerëzit në përgjithësi, ndërkohë që për disa, vdekja e dikujt mund të jetë gëzim. Ndaj, ajo që është e rëndësishme nuk është vetë vdekja, por mënyra se si vdes, si e ke mbyllur jetën dhe çfarë ke lënë pas.
Ashtu siç veprat janë të lidhura me qëllimin, ashtu edhe jeta e mirë ose e ligë është e lidhur me përfundimin e saj.
Ka njerëz që vdesin dëshmorë në rrugë të Zotit dhe të kauzave sublime, por ka edhe të atillë që vdesin si zullumqarë apo si anonimë, gjithsecili ashtu siç ka jetuar, siç ka edhe të atillë që vdesin duke marrë pas kultin që kanë ngritur për vete në këtë botë.
Të gjithë do të dalim një ditë para Krijuesit dhe do të japim llogari për atë që kemi bërë, kemi thënë dhe si kemi qëndruar, ndaj vdekja është moment reflektimi për të ndërtuar një jetë dinjitoze, sepse në varr do të shkojmë që të gjithë, si i pasuri dhe i varfri, si mbreti dhe skllavi, si trimi dhe frikacaku. Ndaj, lum ai që diti si ta presë vdekjen sa ishte gjallë!

 

Hoxhë Justinian Topulli