Në mungesë të kuorumit, seanca e Kuvendit të Kosovës ka ndërprerë punimet për të vazhduar shqyrtimin e parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale (Trusti). Seanca do të vazhdojë sot duke filluar nga ora 10:00.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca qysh në fillim të seancës i kishte paralajmëruar deputetët opozitar që të marrin pjesë në votimin e pikave të rendit të ditës ose do ta mbyllte seancën. Reagimi i tij u bë, pasi shumica dërrmuese e tyre nuk morën pjesë në proceset e votimeve të amendamenteve të shqyrtimeve të dyta të disa projektligjeve, shkruan Telegrafi.
Mirëpo, menjëherë reaguan deputetët nga opozita dhe i kërkuan që mos ta bëjë një gjë të tillë, pasi në rend të ditës është edhe tërheqja e kursimeve nga Trusti. Pavarësisht kësaj, kryeparlamentari ka ndërprerë seancën.
“S’ka Trust, nëse vazhdon kështu po e ndërprej seancën. Veç edhe këtë Projektligj po e votojmë edhe shkojmë në shtëpi. Nuk ka kuorum Kuvendi për të vazhduar shihemi nesër [e enjte] në orën 10:00”, ka thënë Konjufca.
Pas kësaj, partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pasi Kuvendi nuk pati kuorum për të vazhduar pikën që kishte të bënte me shqyrtimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti.
Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se në sallë ishin të pranishëm 80 deputetë. Ndaj sipas tij, nuk ka pasur arsye që seanca të ndërpritet.
Por, siç tha Tahiri në një konferencë për media, pozita po gjen metoda të ndryshme në Kuvend për ta penguar votimin e Projektligjit për Trustin.
“Në mënyrë të paprecedentë është ndërprerë seanca e Kuvendit pikërisht kur erdhëm te pika e diskutimit për Trustin, një kërkesë e qytetarëve për t’i tërhequr mjetet. Nëse do të ndërpritet seanca apo do të vazhdojë këtë e vendos vetë seanca me mocion procedural, e jo kryeparlamentari”, është shprehur Tahiri.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka mohuar se ka ndërhyrë te kryeparlamentari Konjufca për ndërprerjen e seancës plenare, në të cilën duhej të votohej për tërheqjen e parave të Trustit.
Ajo në një konferencë për media, ka theksuar se seanca nuk është ndërprerë për shkak të bllokimit të shumicës parlamentare.
“Ajo çfarë ndodhi në seancë ishte humbja e kuorumit si rrjedhojë e mos pjesëmarrjes në votim të opozitës. Dhe kjo situatë tashmë për një kohë të gjatë po përsëritet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, nuk ishte mazhoranca ajo që e bllokoi, ishte vetë opozita që refuzoi të jetë aktive në pikat të cilat ishin në agjendë për tu trajtuar sot, sipas dakordimin në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu gjatë prezantimit të Projektligjit në Komisionin për Buxhet kishte thënë se qytetarët janë duke u përballur me krizë ekonomike dhe së është e nevojshme që të kalon ky ndryshim.
Pro kësaj kërkese kishte protestuar Sindikata e Punëtorëve të KEK-ut me pjesëmarrjen e sindikatave të tjera.
Sipas një hulumtimi të Institutit për Studime të Avancuara GAP, afër gjysma e kontributdhënësve do të mund t’i tërhiqnin mesatarisht nga 95.5 euro nga Trusti.
Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.
Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.
Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribuues.