Muslimanët e Arakanit vazhdojnë të kalojnë në Bangladesh duke e kaluar Lumin Naf për të shpëtuar nga sulmet e forcave ushtarake të Mianmarit dhe budistëve radikalë që filluan më 25 gusht, raporton Anadolu Agency (AA).
Vërshimi i refugjatëve drejt kampeve Balukhali, Kutupalong, Thaingkhali dhe Plangkhali në rajonin Teknaf është duke vazhduar me vështirësi. Rritja e nivelit të ujit të Lumti Naf për shkak të reshjeve sezonale është duke vështirësuar rrugëtimin e refugjatëve.
Prania e organizatave humanitare ndërkombëtare në rajon është e pamjaftueshme, ndërsa muslimanët e Bangladeshit shpërndajnë ushqime me mundësitë e veta.
Nevojat shëndetësore të muslimanëve të Arakanit plotësohen në tenda të ngritura nga mjekë vullnetarë, sapo ata mbërrijnë në Bangladesh.
Më pas, atyre u ndahen paketa ushqimore me banane, ujë dhe biskota, ndërsa fëmijët dhe pleqtë vërehen të rraskapitur për shkak të rrugëtimit të vështirë dhe të pasigurtë.
Tymi mbulon qiellin e Arakanit
Ndërkohë, nga zonat kufitare të Bangladeshit mund të shihet tym i cili ka përfshirë qiellin e Arakanit.
Në Arakan, thuhet se mijëra muslimanë fshihen në zona malore dhe fshehurazi përpiqen të arrijnë në Lumin Naf.
Të moshuarit dhe të plagosurit përpiqen të kalojnë në Bangladesh duke u bartur përmes pëlhurave të lidhura për shkopinj.
Problemi i përgjithshëm i higjienës në Bangladesh është shndërruar në rrezik serioz në kampet ku qëndrojnë refugjatët.
Refugjatët përpiqen për nevojat higjienike duke përdorur ujin e akumuluar në vendbanime, që mund të rastiset shpesh.
Muhamed Jusuf Husein, mjek nga Bangladeshi i cili ofron shërbime shëndetësore në tendën që ka vendosur për refugjatët e Arakanit në Bangladesh, tregon se në Teknaf ka ardhur menjëherë pas shpërthimit të incidenteve.
Duke folur për gjendjen e refugjatëve, Husein thotë: “Janë në gjendje tepër të keqe. Një numër i madh i refugjatëve vazhdojnë të vijnë nga Mianmari. Në mesin e tyre ka shumë të sëmurë. Ata detyrohen të ecin me ditë të tëra. Unë përpiqem t’u ndihmojë atyre që vijnë. Po ashtu, përpiqem të merrem edhe me pastërtinë e tyre”.
Ne tendat për ndihmë të parë refugjatëve barna dhe trajtime ofrohen edhe për refugjatët që kanë ardhur në Bangladesh ditë më parë.
Vizita e Kryeministres së Bangladeshit në kampin Kutupalong
Vizita e Kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina Wazed në kampin e refugjatëve Kutupalong e cila u planifikua për dje, pritet të realizohet gjatë ditës së sotme.
Qarkullimi në rrugën nga qyteti Cox’s Bazar deri në rajonin Teknaf është mbyllur për shkak të vizitës së kryeministres.
Përfaqësuesit të mediumeve nuk u është dhënë leje për hyrje në hapësirë, ndërkohë që bëhet e ditur se rruga do të qëndrojë e mbyllur për nëntë orë.
Në rrugën ku do të kalojë kryeministrja Wazed janë vendosur disa pankarta me mbishkrime “Wazed, nëna e refugjatëve”, “Wazed, nëna e njerëzimit”.
Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.
Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 150 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh. OKB njoftoi se numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladesh ka arritur në 370 mijë.
Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.