Rreth 100 civilë ukrainas, të evakuuar nga Mariupoli, pritet të arrijnë gjatë ditës në qytetin juglindor të Zaporizhjas, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.
Qindra të tjerë vazhdojnë të mbeten në bunkerë, nën fabrikën e çelikut, Azovstal, në qytetin e rrethuar, që është port në Detin Azov.
Zëdhënësi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Saviano Abreu, tha se përpjekjet për t’i nxjerrë njerëzit nga Azovstali po bëhen në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në koordinim me zyrtarët ukrainas dhe rusë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se numri i të evakuuarve është 80 dhe shtoi se “ata që kanë dashur të largohen në zonat e kontrolluara nga regjimi i Kievit, u janë dorëzuar përfaqësuesve të OKB-së dhe të Kryqit të Kuq”.
Zyrtari i Gardës Kombëtare të Ukrainës, Denys Shleha, tha se do të duhen së paku edhe dy përpjekje të tjera evakuimi, për t’i nxjerrë të gjithë civilët nga Azovstali.
“Disa dhjetëra fëmijë të vegjël janë ende në bunkerët poshtë uzinës”, tha ai.
Vendndodhja strategjike e Mariupolit – pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar në mënyrë jolegale nga Ukraina në vitin 2014 – e ka bërë atë objektiv të bombardimeve të furishme ruse.
Qyteti, me një popullsi prej rreth 400,000 banorësh para luftës, është shndërruar tani në gërmadhë.
Në ditët e para të pushtimit, forcat ruse kanë sulmuar atje një maternitet, si edhe një teatër, ku janë raportuar të vrarë qindra njerëz.
Në Mariupol, besohet të jenë ende rreth 100,000 njerëz, përfshirë rreth 2,000 luftëtarë ukrainas në dhe rreth kompleksit të Azovstalit, që është e vetmja pjesë e qytetit që nuk është pushtuar nga rusët.
Mbrojtësit ukrainas në Azovstal kanë shpërndarë një video më 30 prill, duke bërë thirrje për ushqime, ujë dhe furnizime të tjera.
Inteligjenca britanike tha të hënën se forca elitare ruse ka pësuar numër aq të madh të viktimave, saqë do t’i duhen vite për t’i zëvendësuar.
Sipas inteligjencës britanike, Rusia, kur ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ka shpërndarë mbi 120 batalione, të cilat kanë përfaqësuar rreth 65 për qind të të gjitha aftësive të saj luftarake tokësore.
“Ka të ngjarë që më shumë se një e katërta e këtyre njësive të jenë bërë tani joefektive”, tha inteligjenca britanike.
Sipas saj, disa nga njësitë më elitare të Rusisë – përfshirë Forcat Ajrore VDV – kanë pësuar “nivelet më të mëdha të dëmtimit”.
Rusia ka thënë se mbi një mijë ushtarë të saj janë vrarë, por Ukraina pretendon se humbjet e saj janë shumë më të mëdha – deri në mbi 20,000 ushtarë të vrarë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.
Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin dhe ka ndërmarrë disa sanksione të rënda kundër Rusisë, ndërkohë që Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.
Mijëra njerëz besohet të jenë vrarë në luftime, ndërsa mbi 5 milionë janë konfirmuar si të zhvendosur nga Ukraina. /rel