Zjarret masive në Los Angeles vazhdojnë të shkaktojnë shkatërrime masive në shtetin amerikan të Kalifornisë dhe parashikimet për më shumë erëra të forta pritet të nxisin shpërndarjen e flakëve në ditët në vijim, transmeton Anadolu.
Dy zjarret e furishme në lagjet Eaton dhe Palisades kanë djegur më shumë se 40.000 hektarë tokë, duke shkatërruar mbi 12.300 shtëpi, biznese, kisha dhe shkolla. Deri më tani, të paktën 25 persona janë konfirmuar të vdekur.
Zjarrfikësit janë ende duke punuar për të frenuar flakët, por zyrtarët po paralajmërojnë se kushtet mund të përkeqësohen gjatë javës së ardhshme, me erëra që pritet të arrijnë shpejtësi nga 70 deri në 100 kilometra në orë.
Teksa sinoptikanët thanë se për këtë javë, erërat kanë arritur kulmin në pjesën më të madhe të zonës së Los Angeles-it, por më shumë erëra javën e ardhshme do të kenë potencialin për të nxitur flakët.
Shkaqet e të dy zjarreve mbeten të panjohura, por hetuesit vazhdojnë të hetojnë shkaqet dhe burimin e zjarrit, teksa nuk kanë përjashtuar mundësinë e zjarrvënies.
Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri i Kalifornisë thotë se po heton gjithashtu nëse linjat e transmetimit elektrik mund të kishin ndezur zjarrin në Eaton, ku humbën jetën 16 njerëz. Që nga mbrëmja e së martës, zjarri në Eaton ishte 45 për qind i kontrolluar dhe zjarri në Palisades ishte 21 për qind i kontrolluar.
– “Ndër fatkeqësitë më të kushtueshme në historinë e SHBA-së”
Vlerësimet paraprake të dëmeve nga zjarret u vlerësuan në dhjetëra miliarda dollarë, sipas Presidentit Joe Biden, me disa vlerësime që variojnë deri në 50 miliardë dollarë.
“Ato janë vlerësime relativisht serioze, sepse ju shikoni vlerën e drejtë të tregut të pronave të veçanta, por askush nuk e ka ende atë përgjigje”, tha guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom në një intervistë për NBC News.
“Kjo do të jetë, nëse jo më e kushtueshmja, ndër fatkeqësitë më të kushtueshme në historinë e SHBA-së, përmasat dhe shtrirja e pronave, mbi 12 mijë prona të djegura në dy zjarret e mëdha”, shtoi ai.
Newsom tha se tashmë i ka kërkuar qeverisë federale një fonde fillestare prej 2,5 miliardë dollarësh për pastrim dhe rindërtim, ndërsa është takuar edhe me drejtuesit e kompanive të sigurimeve për të diskutuar proceset e dëmshpërblimeve.
Gjigantët e teknologjisë Google dhe YouTube njoftuan një donacion të kombinuar prej 15 milionë dollarësh për përpjekjet e ndihmës dhe rindërtimit pas zjarreve.
Disney ka premtuar gjithashtu 15 milionë dollarë ndihmë, përveç hapjes së magazinave për punonjësit dhe familjet e tyre që humbën shtëpitë e tyre nga zjarret.
Persona të famshëm të Hollywood-it po kontribuojnë gjithashtu në përpjekjet e rimëkëmbjes. Aktorët Leonardo DiCaprio, Eva Longoria dhe Jamie Lee Curtis kanë njoftuar të gjithë donacione prej 1 milion dollarësh secili. Fondacioni BeyGood i këngëtares Beyonce bëri një donacion prej 2,5 milionë dollarësh.