Vazhdojnë vërshimet- Në Rahovec evakuohen disa familje, në Fushë Kosovë veturat mbulohen nga uji, ndërsa në Gjilan disa shtëpive u ka hyrë shiu brenda

Reshjet e shiut dhe borës kanë shkaktuar probleme në vend, ku si pasojë në disa vende ka pasur vërshime.

Në adresë të Telegrafit, qytetarët kanë shkruar për problemet me të cilat po ballafaqohen pas vërshimeve.

Në Rahovec janë evakuuar disa familje pasi shiu ka vërshuar edhe shtëpitë.

Nga Gjilani kanë bërë të ditur se nga vërshimi i përroskës në rrugën “Aleksander Mojsiu”, afër tregut të gjelbër uji ka hyrë brenda nëpër shtëpitë dhe nuk kanë kurrfarë ndihme.

Edhe në komunën e Fushë Kosovës janë raportuar dëme të mëdha nga vërshimet. Podrumet raportohet se janë vërshuar, ku si pasojë edhe veturat janë mbuluar nga uji.

Ndërkaq, edhe në fshatin Miradi në Fushë Kosovë qarkullimi është vështirësuar për shkak të vërshimeve.

Vërshime janë raportuar edhe në Drenas.

Lidhur me gjendjen në Rahovec, në disa fshatra janë evakuuar disa familje shkak që reshjet e shiut që po bien pa ndërprerë kanë vërshuat shtëpitë e tyre.

Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi ka reaguar lidhur me gjendjen atje.

“Ju lusim për durim, pa panik jemi bashkë…. tashmë kur situata nuk është edhe aq e mirë për shkak të problemeve që po na sjellin reshjet, e sidomos në Sapniq, Fortesë, Ratkoc etj…, më lejoni t’ju informoj se jemi duke bërë çdo gjë të mundshme për t’ju dalë në ndihmë. Dy familje janë evakuuar sonte nga fshati Sapniq, po ashtu edhe dy familje nga fshati Fortesë, disa familje edhe nga fshati Pataqan i Poshtëm, e tëra kjo pasi shtëpitë e tyre janë vërshuar si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut”, ka shkruar Latifi orë më parë.

Edhe nga Komuna e Drenasit është raportuar për vërshime dhe është kërkuar kujdes i shtuar.

“Komuna e Drenasit, njofton të gjithë qytetarët se pas vazhdimit të reshjeve të dendura të shiut, disa rrugë, sidomos mbi ura, janë bërë të pakalueshme, ndaj kërkojmë nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të evitojnë ato pjesë ku ka rrezik. Rruga regjionale Drenas-Obiliq, tek lagja Morina në Çikatovë të Vjetër në drejtim të “Guri i Plakës” është e bllokuar nga uji, ndaj lusim qytetarët që t’i shmangën kësaj rruge dhe të përdorin rrugë të tjera alternative.