Vazhdojnë trazirat në Gjeorgji, policia përdor forcë kundër protestuesve para Parlamentit

Policia në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë mijëra protestues pro-Bashkimit Evropian që përpiqeshin të rrethonin ndërtesën e Parlamentit, raporton Anadolu.

Incidenti i fundit është pjesë e protestave mbarëkombëtare tashmë në ditën e tyre të pestë, që filluan pasi qeveria e kryeministrit Irakli Kobakhidze njoftoi më 28 nëntor se bisedimet për anëtarësim në BE do të shtyheshin deri në vitin 2028.

Demonstruesit, të zemëruar nga vendimi, u mblodhën para parlamentit, duke lëshuar fishekzjarre dhe duke hedhur gurë ndaj policëve të vendosur pas barrikadave. Forcat e sigurisë u përgjigjën me forcë, duke i shtyrë protestuesit të tërhiqeshin nga ndërtesa. Gjatë përleshjeve u arrestuan disa protestues.

“Ky është sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe të drejtës për të protestuar. Të drejtat themelore janë të shkelura”, tha presidentja gjeorgjiane Salome Zourabichvili, duke kritikuar ndërhyrjen e policisë. Ajo pretendon se protestat janë “ndryshe nga gjithçka në historinë tonë”, duke sugjeruar se banorët e Gjeorgjisë dëshirojnë të kthejnë “të ardhmen evropiane”.

Ministria e Brendshme tha se disa grupe zgjodhën dhunën si mjet gjatë demonstratave. Në deklaratën e ministrisë thuhet se që nga fillimi i protestave, 113 oficerë policie janë plagosur. Ndërkohë, demonstruesit thuhet se filluan të shpërndahen rreth orës gjashtë të mëngjesit sipas kohës lokale, pasi qindra demonstrues marshuan drejt rrugës “Ilia Chavchavadze”.

Rrugëtimi i Gjeorgjisë drejt anëtarësimit në BE, i nisur në vitin 2022, është përballur me pengesa të konsiderueshme. Tensionet u përshkallëzuan pas miratimit të ligjit të diskutueshëm “Transparenca e ndikimit të huaj”, për të cilin kritikët argumentojnë se kufizon liritë politike.

Në fund të muajit të kaluar, Parlamenti Evropian bëri thirrje për zgjedhje të reja në Gjeorgji, duke thënë se zgjedhjet e 26 tetorit nuk ishin as të lira dhe as të drejta, duke intensifikuar protestat e udhëhequra nga grupet e opozitës dhe aktivistët pro-BE.

Kobakhidze akuzoi zyrtarët evropianë për ndërhyrje. “Duke marrë parasysh të gjitha këto, ne kemi vendosur që çështjen e fillimit të negociatave me BE-në të mos e sjellim në agjendë deri në fund të vitit 2028”, tha ai.