Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, organizuar nga partitë opozitare dhe aktivistë, raporton Anadolu.
Protesta është organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistëve para selisë së Bashkisë së Tiranës, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, në fjalën e tij gjatë protestës u bëri thirrje pjesëmarrësve që të vazhdojnë protestat.
“Kjo protestë do të vazhdojë derisa në këtë vend të bëhet drejtësi. Shqiptarët protestojnë për drejtësi. Nuk ka drejtësi. Të qëndrojmë dhe të vazhdojmë (protestën)”, tha Balliu.
Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, duke iu drejtuar protestuesve tha se “do qëndrojnë fort deri në fitoren e përbashkët”.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë të Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës,Tedi Blushi, protestën para Bashkisë së Tiranës që vazhdon prej disa muajsh e ka konsideruar “qëndresë heroike”.
Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore, ndërkohë nuk u shënuan përplasje me policinë.
Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.