Vazhdojnë protestat para Bashkisë së Tiranës

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës” dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, raporton Anadolu.

Protesta e 30-të është mbajtur në vazhdën e protestave të organizuara në muajit e fundit nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës.

Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij tha se protesta do të sjellë ndryshimin e madh në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.

“Ne e duam jetën tonë, ne i duam fëmijët tanë dhe duam të ardhmen tonë. Ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend evropian, andaj të qëndrojmë bashkë drejt fitores”, tha Teliti.

Duke paralajmëruar vazhdimin e protestave, ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, tha se protestat duhet të jenë “për shtetin, ligjin, drejtësinë, familjen dhe për Shqipërinë”.

Ndërkaq, ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij u shpreh se “tentativat për të shuar opozitën do të dështojnë”.

Protestuesve iu drejtua me një fjalim edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë të Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, si dhe përfaqësues të tjerë të partive opozitare dhe aktivistë.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore para godinës së Bashkisë së Tiranës, ndërkohë nuk u shënuan tensione.

Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.