Vazhdojnë pr’otestat antiqeveritare në Venezuelë

Përkrahësit e opozitës kanë mbushur rrugët nëpër Venezuelë për të protestuar kundër fitores së kontestuar të Nicolas Maduros në zgjedhjet presidenciale muajin e kaluar, raporton “BBC”.

Liderja e opozitës Maria Corina Machado iu bashkua mijëra protestuesve në kryeqendër Caracas dhe u tha atyre të mos kenë frikë.

Machado, që po akuzohet për kryengritje, ka thënë se nuk ka asgjë mbi zërin e qytetarëve dhe se qytetarët kanë folur.

Policia dhe ushtria u vendosën nëpër rrugë për të kontrolluar situatën.

“Ne nuk do të largohemi nga rrugët”, u ka thënë Machado protestuesve.

Ajo ka bërë thirrje për protesta mbarë kombëtare për të intensifikuar presionin ndaj Maduros.

Protestuesit kanë thënë se do të vazhdojnë të protestojnë.

“Shpresoj që Maduro ta pranojë humbjen e tij dhe ta dorëzojë pushtetin në mënyrë paqësore. Ajo që mendoj unë se do të ndodh është se diktatura e tij do të bëhet më e rreptë, kështu që ne të gjithë duhet të ngrihemi kundër diktaturës dhe të tregojmë se ka më tepër njerëz të mirë”, ka thënë studenti Jose Berbin për agjencinë “Reuters”.

Maduro ka insistur se ka fituar bindshëm mandatin e tij të tretë gjashtëvjeçarë, por opozita ka kundërshtuar këtë duke thënë se kandidati i saj Edmundo Gonzalez ka fituar me epërsi të thellë.

Gonzalez ka thënë se është koha për tranzicionin.

Komisioni Zgjedhor i Venezuelës, që kontrollohet nga aleatët e Maduros, ka refuzuar të publikojë rezultatet e detajuara, por ka thënë se Maduro ka fituar 52 për qind të votave. Monitoruesit e pavarur kanë thënë se është mungesë transparence.

Që nga zgjedhjet, protestat antiqeveritare në Venezuelë kanë vazhduar.