Vazhdojnë përleshjet në Halep dhe Idlib mes regjimit të Assadit dhe grupeve kundër regjimi

Përleshjet midis regjimit të Bashar al-Assadit dhe grupit të armatosur kundër regjimit Hayat Tahrir al-Sham vazhdojnë në provincat siriane të Halepit dhe Idlibit, transmeton Anadolu.

Përleshjet fillimisht nisën në fshatin perëndimor të provincës Halep herët në mëngjesin e ditës së djeshme dhe vazhduan edhe gjatë gjithë ditës së sotme.

Grupet e armatosura, të cilat dje morën nën kontroll 32 fshatra dhe pika në pjesën perëndimore të Halepit, sot morën nën kontroll edhe 10 fshatra të tjerë.

Grupet kundër regjimit, të cilët erdhën 3 kilometra nga qendra e qytetit Halep dhe morën nën kontroll një sipërfaqe prej 320 kilometrash katror, në orët e para të mëngjesit po ashtu sulmuan me dronë aeroportin ushtarak Nayrab në Halep dhe shkatërruan një helikopter.

Derisa konflikti vazhdon, regjimi i Assadit ka shënjestruar vendbanimet civile, duke i sulmuar ato me predha.

– Kapen dhjetëra ushtarë të regjimit

Grupi i armatosur kundër regjimit Hayat Tahrir al-Sham ka sekuestruar armë të rënda dhe automjete ushtarake të regjimit sirian në rajonet që ka marrë nën kontroll. Shumë ushtarë të regjimit u vranë në përleshje dhe dhjetëra të tjerë u kapën nga grupi.

Rreth 10 mijë civilë që u larguan nga konfliktet në rajon janë strehuar në zonat rurale të Idlibit.

Përleshjet vazhdojnë dhe intensifikohen, duke lëvizur drejt qendrës së qytetit Halep.

– Hayat Tahrir al-Sham mori nën kontroll 6 fshatra në lindje të Idlibit

Për shkak të përleshjeve që vijojnë të shtohen me intensitet, mëngjesin e sotëm janë krijuar fronte të reja.

Përleshjet nisën në orët e mëngjesit në rajonin Saraqib, i cili ndodhet në lindje të provincës Idlib, në pjesën veriperëndimore të vendit.

Grupet kundër regjimit morën kontroll fshatrat Trimbe, Dadikh, Kafr Battikh, Qubays, Sabburuh dhe Mardikh, të cilat ishin nën kontrollin e regjimit të Assadit.