Vazhdimi i seancës konstituive, Presidenca thotë se nuk ka marrë letër nga Kuvendi

Presidenca e Kosovës ka thënë se deri më tani nuk ka marrë asnjë pyetje nga Kuvendi i Kosovës, lidhur me vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre pas dështimit të votimit të raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve

“Deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi. Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, ka thënë Bekim Kupina, nga Presidenca e Kosovës.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën pas dështimit të miratimit të këtij raporti ku u tha se duhet pyetur presidenten për hapat tutje.

Por, Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë se vazhdimi i seancës është në duart e kryesuesit dhe se ajo mund të thirret edhe sot gjatë ditës.