Vashat e Kosovës të pafuqishme kundër Rusisë – pësojnë humbje në kampanjën kualifikuese për Euro 2021

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka pësuar një humbje të thellë kundër Rusisë.

Vashat e Kosovës janë mposhtur me rezultatin 0:5, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Euro 2021, shkruan lajmi.net.

Serinë e golave në këtë takim e hapi Fjolla Shala, e cila shënoi në portën e saj, qysh në minutën e parë të takimit.

Për dyfishimin e epërsisë u përkujdes sulmuesja ruse, Korovkina, e cila dërgoi topin në rrjetë në minutën e 33’.

Pjesa e dytë nisi në mënyrë të tmerrshme për vashat kosovare, të cilat në një periudhë prej shtatë minutave pësuan tri gola.

Fillimisht, Smirnova realizoi dy minuta pas fillimit të pjesës së parë, për shifrat 0:3. Tre minuta më vonë, Fedorova realizoi për 0:4, kurse Smirnova gjeti edhe një herë golin, tre minuta pas golit të Fedorova.

Pikërisht goli i Smirnova ishte ai që vulosi rezultatin final të këtij takimi, 0:5.

Kujtojmë se kjo ndeshje ishte e vlefshme për Grupin A, ku garojnë Kosova, Rusia, Sllovenia, Estonia, Turqia dhe Holanda.

Kosova aktualisht mbetet me 6 pikë për pozitën e katërt në tabelë, kurse Rusia merr pozitën e dytë, me 9 pikë të grumbulluara.