Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të Aulonit. Familjarë, miq, shokë dhe qytetarë ia kanë mësyrë xhamisë afër varrezave në lagjen Arbëria për t’ia falë namazin e xhenazes 16-vjeçarit.
Pas kryerjes së obligimeve fetare, trupi i tij u nis drejt “banesës së fundit”. Edhe aty u luten për shpirtin e tij.
Ata që po e përjetojnë më rënd shuarjen e tij janë motra dhe vëllai, si dhe prindërit.
E kur përfundoi ceremonia e varrimit të afërmit e përshkruajnë si një djalë të urtë dhe të zellshëm.
Edhe shokët e kujtojnë si një djalë të qetë dhe të devotshëm.
Vrasja në rrethana të pasqaruara e 16 vjeçarit ka sjell reagime të shumta.
Ministri i porsazgjedhur i Drejtësisë. Abelard Tahiri, rastin e tillë e konsideron tronditës.
Ndërsa shpreh ngushëllimet për familje, zotohet se do të bëjë çmos që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Prokuroria e Policia e Kosovës të gjejnë vrasësin e Aulon Zeka, i vrarë, të shtunën, në Prishtinë.
Ajo ka kërkuar nga udhëheqja e Prishtinës të vendosen kamera në rrugët e Kryeqytetit në mënyrë që të ketë siguri më të madhe për banorët.
Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka rekomanduar që si masë për rritjen e sigurisë në kryeqytet të vendosen kamerat.
Policia e Kosovës thotë se është duke u marr me rastin dhe se deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.
Aulon Zeka u gjet i vdekur të shtunën afër shkollës “Model” në kryeqytet.