Varrosen edhe 9 viktimat e gjenocidit të Srebrenicës

Salko Ibisheviç dhe Hasan Peziç janë në mesin e 9 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës më 11 korrik të vitit 1995 të cilët janë varrosur sot në varrezat e Qendrës Memoriale në Potoçari të Bosnjë e Hercegovinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ibisheviç është viktima më e re e varrosur në varrezat e Qendrës Memoriale këtë vit. Ai ishte vetëm 23-vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në varrin sekondar masiv në Liplje, në komunën e Zvornikut në vitin 2001.❮❯

Trupi i tij i paplotë u lëshua në varr nga babai i tij Ahmo.

Viktima më e vjetër e varrosur është Hasan (Alije) Peziç nga Pustosha afër Vlasenicës. Ai u zhduk në vitin 1995 në zonën e Kozlukut. Trupi i tij u zhvarros nga një varr masiv në Kozluk në vitin 1999.

Mbetjet mortore të Hasanit, i cili ishte 70-vjeç në kohën e vdekjes së tij, i lëshoi në varr djali i tij Fikret.

Në varrezat e Qendrës Memoriale të Potoçarit sot janë varrosur: Sead (Huso) Hasanoviç, i lindur në 1971 në Krivaça, Alija (Bekto) Suljiç, i lindur në 1969 në Poznanoviçi, Hasan (Alija) Peziç, i lindur më 1925 në Pustoshe, Hasib (Shaban) Hasanoviç, i lindur në vitin 1970 në Sllatinë, Zuhdija (Suljo) Avdagiç, i lindur më 1947 në Nova Kasaba, Bajro (Ramo) Salihoviç, i lindur në 1943 në Voljavica, Ibrahim (Hamid) Zukanoviç, i lindur më 1941 në Sasama, Salko (Ahmo) Ibisheviç, i lindur më 1972 në Ljubovija dhe Kemal (Husein) Musiç, i lindur në 1968 në Glogova.

Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.