Varrezat masive me shqiptarë në Kizhevik të Rashkës, Mjekësia Ligjore e Kosovës nuk është prezente në vendin e gërmimit

Gërmimet e filluara në regjionin e Rashkës, ku dyshohej se janë fshehur mbetje mortore të disa viktimave nga lufta e fundit në Kosovë para 3 ditësh dhanë rezultatet e para ku aty u hasën disa mbetje mortore.

Bëhet fjalë për vendin Kizhevik të Rashkës ku hasja në mbetje mortore u konfirmua nga autoritetet serbe, por edhe nga disa mekanizma që lidhen me çështjen në Kosovë, shkruan lajmi.net

Pavarësisht se u tha se Kosova do të jetë së shpejti në lokacion, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu për lajmi.net tha se ende nuk kanë marrë ftesë zyrtare të jenë pjesë e gërmimeve.

“Jo, nuk jemi prezentë sepse ligji i Serbisë është i tillë dhe nuk e lejon. Prokurori dhe gjykatësi i procedurës dhe sa për informacion, ata e kanë lëshuar një urdhëresë që mund të hapet vendi, por grupi jonë nuk ka marrë ftesë se kur mund të shkojmë dhe sa mund të rrijmë atje, përndryshe ne jemi të gatshëm të shkojmë në çdo minutë”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

I pyetur lidhur me numrin e personave që dyshohet të jenë gjetur në këtë varrezë masive në Kizhevik të Rashkës, Gërxhaliu tha se edhe po të kishte numër të saktë nuk do ta tregonte, pasi nevojiten ekspertiza dhe konfirmime për të folur për detajet.

“Edhe po ta dija numrin e saktë nuk do ta thoja kurrë për shkak të familjarëve. Asnjëherë nuk është folur për këto gjëra pa u konfirmuar. Ne do të jemi pjesë e procesit në baza ditore, por duhet të kryhen konfirmime lidhur me rastin”, tha Gërxhaliu.

Më tutje, ai tha se ka edhe lokacione të tjera në Kosovë ku pritet të kryhen gërmime të ngjashme, por nuk ka dhënë shumë detaje lidhur me këtë.

“Ka lokacione të tjera por duhet të pritet urdhëresa, në Kosovë kemi një lokacion në afërsi të Gjilanit dhe dy lokacione të tjera, por duhet ta shfrytëzojmë këtë kohë. Po mundohemi me të gjitha forcat t’i dalim zot punës”, tha në fund Gërxhaliu.

Në ditën e konfirmimit të varrezës masive në Kishevik, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thanë se ekspertët e tyre janë në vendngjarje por ende nuk ka informacione tash e tre ditë nëse ata janë prezent ose jo.