Një varkë “fluturuese” e rimodeluar është testuar për herë të parë në ujërat e Venecias. Shpresohet se kjo lloj varke mund të ndihmojë për problemin e dëmtimit nga valët të ndërtesave të qytetit italian.
Rrugët ujore të Venecias janë bërë për mjete lundruese. Por për fat të keq, valët që krijohen nga anije me lëvizje të shpejtë, të tilla si varkat taksi dhe anijet turistike, krijojnë efektin e njohur si “moto ondoso”, i cili gradualisht po gërryen ndërtesat ikonike të qytetit.
Shpresohet se një varkë elektrike “fluturuese” mund të ofrojë një zgjidhje, ndërkohë që do të ulë edhe konsumin e energjisë.
“Kjo është Candela C7, anija e parë elektrike në botë, e cila ‘fluturon’ mbi ujë… Për Venecian ndoshta gjëja më e rëndësishme është se nuk shkakton valë”, shpjegon Mikael Mahlberg, menaxher i komunikimit në kompaninë “Candela Speed Boat AB”.
Ashtu si para një fluturimi avioni, pasagjerët në bordin e “Candela Seven” vendosin rripat e sigurimit përpara nisjes. Kjo sepse pasi shoferi shton shpejtësinë, mjeti bëhet pothuajse ajror.
Kompania me qendër në Suedi përdor fletë nënujore. Ato veprojnë si krahë nën ujë, duke ngritur trupin e anijes lart në ajër dhe duke zvogëluar fërkimin me ujin me rreth 80%, si dhe duke bërë të mundur që të lundrojë në distanca të gjata vetëm me energjinë e baterisë.
Dhe siç shpjegon zoti Mahlberg, më pak valë mund të sjellin shumë përfitime.
“Siç mund ta shihni qartë ka shumë valë këtu që vijnë nga të gjitha mjetet motorike duke shkaktuar efektin Moto Ondoso dhe ky është një problem i madh. Nëse përdorim këtë teknologji për të elektrizuar tragetet dhe mjetet e tjera të transportit ujor, mund lundrohet me shpejtësi në mjedise urbane pa dëmtuar pronën ose anijet e tjera”, thotë zoti Mahlberg.
Ajo që mendohej të ishte varka e parë me fletë nënujore u testua në Liqenin Maggiore mbi një shekull më parë.
Shpikur nga inxhinieri italian Enrico Forlanini, teknologjia u përdor më vonë në anijet e pasagjerëve, por asnjëherë nuk u përdor në anijet e lundrimit gjatë kohës së lirë, siç ishte shpikja e tij origjinale.
Muajin e kaluar ekipi i Candela Speed Boat shkuan në Liqenin Maggiore për ta testuar.
“Është një ndjenjë fantastike, të jesh duke lundruar me shpejtësi, të jesh në gjendje të flasësh me një zë normal dhe të mos harxhosh asgjë. Është një ndjenjë që shpresoj se të gjithë do të jenë në gjendje ta përjetojnë në të ardhmen e afërt, e gjithë kjo pa krijuar valë dhe pa shqetësuar paqen për ata që kanë një shtëpi në liqen”, tha Umberto Amos, klient dhe shitës i autorizuar në Itali për kompaninë Candela.
Me përdorimin e teknologjisë moderne të përdorur tek dronët dhe telefonat inteligjentë, “Candela Seven” mund të lundrojë si në liqene ashtu edhe në dete të trazuar. Sensorët në harkun e anijes diktojnë valët dhe këndet e fletëve mund të ndryshojnë deri në 100 herë në sekondë për të siguruar një udhëtim të qetë. Varka kushton rreth 250 mijë euro. Kompania ka shitur 31 deri më tani dhe pret që tregu të rritet në mënyrë eksponenciale deri në vitin 2023, duke shitur deri në 400 anije në vit./VOA