Të paktën 16 xhami u vandalizuan, kurse shtëpitë dhe dyqanet që u përkisnin muslimanëve u dogjën gjatë javës së fundit në shtetin verilindor të Indisë Tripura, sipas një grupi të të drejtave civile, raporton Anadolu Agency (AA).
Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave Civile (APCR) tha se ka pasur të paktën 27 incidente të konfirmuara të turmave të krahut të djathtë që sulmuan xhamitë, shtëpitë dhe individët në zonat muslimane.
“Këto përfshijnë 16 incidente ku xhamitë u vandalizuan dhe flamujt e radikalëve hindusë, Vishwa Hindu Parishad (VHP), u ngritën me forcë mbi to”, tha M. Huzaifa nga APCR për AA.
Të paktën tri xhami, xhamia Palbazar në rrethin Unnakoti, Dogra Masjid në rrethin Gomati dhe Narola Tila në Vishalgarh u dogjën, tha ai.
APCR tha se pothuajse të gjitha sulmet u kryen nga grupe të ndryshme të krahut të djathtë, duke përfshirë VHP-në, që gjoja ishin mbledhur për të protestuar kundër dhunës ndaj hindusëve në Bangladesh.
“Të martën, qeveria funksionalizoi nenin 144 të Kodit të Procedurës Penale në pjesët Dharmanagar dhe Kailashahar të Tripurës së Veriut për të parandaluar protestat kundër dhunës në shtet. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë veprim në zonat ku u pa vandalizëm nga turma. Shteti dhe autoritetet policore po krijojnë një iluzion normaliteti duke vendosur personelin e policisë në disa zona”, tha Sulltan Hussain, një banor në Tripurën e Veriut dhe sekretar i degës në Tripura të Organizatës Islame të Studentëve të Indisë.
Sekretari Malik Moatasim Khan nga organizata islame Jamaat-e-Islami Hind i bëri thirrje qeverisë që të vendosë situatën nën kontroll dhe të sigurojë kompensim për shkatërrimin e xhamive dhe pronave të tjera.
“Muslimanët në shtet duhet të kenë siguri dhe përgjegjësit për dhunën dhe terrorin duhet të ndëshkohen në mënyrë që të sillet paqe në shtet”, tha ai në një deklaratë.
Nga ana tjetër, zëvendësinspektori i përgjithshëm i policisë Lalhminga Darlong tha për AA se autoritetet po mbrojnë të gjitha xhamitë në rajon dhe situata është nën kontroll.
“Të martën, një xhami u vandalizua dhe tre dyqane dhe tre shtëpi që i përkisnin komunitetit musliman u dogjën pasi një procesion nga punëtorët e Vishwa Hindu Parishad (Këshilli Botëror Hindus) u nxor në protestë ndaj një incidenti të fundit në Bangladesh”, tha ai.
“Administrata e rrethit po zhvillon bisedime me të dy grupet dhe shpresojmë se situata do të mbetet nën kontroll”, shtoi ai. /aa