Valon Berisha drejt Sampdorias

Kur Lacio takohej në dy ndeshje me skuadrën austriake të Salzburgut, Igli Tare vlerësoi si rrezikun më të madh për bardhekaltërit, sulmuesin Valon Berisha.

Drejtori Teknik i Lacios kishte të drejtë, sepse shqiptari i Kosovës arriti që të shënojë një gol nga 11-metërshi në takimin e parë të zhvilluar në Romë dhe të zhvillojë një takim duke vënë në vështirësi italianët gjatë gjithë kohës.

Në përfundim, Salzburg fitoi duelin dhe eleminoi Lacion nga Liga e Europës, ndërsa menjëherë në media nisën që të qarkullonte lajmi se për shërbimet e Berishës, që luan me përfaqësuesen e Kosovës, ishte interesuar Igli Tare.

Por, mëdyshja e Lacios duket se do t’i kushtojë shtrenjtë. Një tjetër skuadër është hedhur në sulm për të shkëputur Berishën nga Salzburgu. Bëhet fjalë për Sampdorian, që sipas SkySport është pranë marrëveshjes me shqiptarin./Top Channel