Vaksinimi në Veri pa leje të AKPPM shkelje e marrëveshjes së Brukselit

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka reaguar pasi është raportuar se qytetarët e veriut të Kosovës po vaksinohen me vaksina antiCovid të dërguara nga Serbia.

Jakupi përmes një statusi në Facebook ka thënë se çdo procedurë që përfshin produktet medicinale pa marrë leje nga AKPPM është shkelje e ligjeve të Republikës së Kosovës dhe gjithashtu shkelje e marrëveshjes së Brukselit.

Ky është reagimi i tij i plotë:

Vaksinimi në Republikën e Kosovës

Vaksinat konsiderohen produkte medicinale dhe si të tilla i nënshtrohen autorizimit për marketing – regjsitrimit në AKPPM. Pas regjistrimit për çdo import duhet të merret leja për import e cila gjithashtu merret nga AKPPM.

Sa i përket furnizimit të qyteteve në veri nuk ka ndonjë dallim me qytetet tjera, me gjithë tendencën dhe kërkesat përgjatë viteve, por kjo çështje ligjërisht ka përfunduar në Bruksel në vitin 2014 dhe këto procedura vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe për të gjitha produktet medicinale nga cilido prodhues qofshin.

Çdo procedurë që përfshin produktet medicinale pa marrë leje nga AKPPM është shkelje e ligjeve të Republikës së Kosovës dhe gjithashtu shkelje e marëveshjes së Brukselit.