Përfshirja me imunizim në Kosovë ka arritur në shkallën 95% dhe kjo e bën Kosovën të radhitet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket vaksinimit të fëmijëve.
Kështu u tha sot në fillimin e shënimit të Javës së Imunizimit në Prishtinë, e cila synon të promovojë përdorimin e vaksinave për t’i mbrojtur njerëzit ë të gjitha moshave me theks në nevojën për të rritur ndërgjegjësimin e hartuesve të politikave, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe kujdestarëve si dhe popullatës më të gjerë për rëndësinë e imunizimit në mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet parandaluese.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se imunizimi kursen shumë jetë për çdo vit. “Kjo është arritje e madhe në fushën e shëndetit publik, kjo është e arritur e madhe edhe në Kosovë….Në bazë të raporteve, një numër i madh i fëmijëve janë të vaksinuar në Kosovë. Jemi duke punuar në përfshirje edhe më të madhe në vaksinim i fëmijëve të grupeve të cenueshme, posaçërisht të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, tha ai.
Padyshim, theksoi ai, sukseset e arritura në këtë program janë rezultat i punës dhe angazhimit të IKShPK, menaxherëve të institucioneve shëndetësore dhe profesionistëve shëndetësor. “Gjithsesi kjo e arritur nuk mund të mendohej edhe pa bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me prindërit që kujdesen për t’i vaksinuar fëmijët. Padyshim, se programi është i suksesshëm duke ju falënderuar përkrahjes së partnerëve tonë, UNICEF-it dhe OBSh-së”.
Ministri Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë, ka prioritet programin e vaksinimit dhe një nga prioritetet për këtë vit është hartimi i planit strategjik për programin e imunizimit. “Ky plan është edhe në planin e veprimit të qeverisë për vitin 2017. Plani është në përputhje me kornizat dhe rekomandimet globale, bazohet në dokumentin që është hartuar me përkrahjen e ekspertëve të UNICEF-it, Ministria e Shëndetësisë, ka organizuar takim me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, autoritetet lokale, për të përforcuar bashkëpunimin dhe koordinimin në ofrimin e shërbimeve në nivel lokal, duke identifikuar dhe vaksinuar grupet me të cenueshme, gjatë programit të rregullt dhe javës së imunizimit”, tha Ministri Rrahmani.
Zëvendësshefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju imunizimi është një nga nismat më të suksesshme të shëndetit publik dhe programet shëndetësore me kosto më efektive. “Vaksinat kanë efekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e fëmijëve. Çdo vit, imunizimi shmang rreth 2-3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse që i prekin fëmijët në mënyrë jo-proporcionale (të dhënat e Imunizimit Global 2012, të OBSH & UNICEF)”. Ai theksoi nevojën për rritjen e shkallës së përfshirjes në imunizim të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. “Megjithatë, mbulimi i imunizimit mbetet shumë më i ulët në mesin e komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane, ku më pak se një e treta e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë 24-35 muajsh janë plotësisht të imunizuar (30%) (MICS 2014). Konsiderohet se një nga arsyet për mbulimin e ulët të imunizimit është si pasojë e mungesës së njohurive dhe ndërgjegjësimit për pasojat shëndetësore tek fëmijët që nuk vaksinohen”, tha ai, duke shtuar se UNICEF mbështet prokurimin e vaksinave për Programin e Zgjeruar të Imunizimit, pa përfitim, sipas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Memorandumit të Mirëkuptimit.
Ushtruesja e Detyrës së shefes së Zyrës së OBSh-së në Kosovë, Ardita Tahirukaj, tha se imunizimi është thelbësor për arritjen e prioriteteve të zhvillimit. Ajo theksoi gjithashtu se zgjerimi i qasjes në imunizim është vendimtar për arritjen e Qëllimeve të Zhvlillimit të Qëndrueshëm…
Tahirukaj theksoi se punonjësit shëndetësor luajnë rol kyç në promovimin e vaksinimit, ndërsa prej vitit 2010-2015, vaksinat kanë parandaluar së paku 10 milionë vdekje në botë.
Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se për të zvogëluar shkallën e lartë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, objektivi kryesor i Programit të Zgjeruar të Imunizimit është arritja e shkallës së lartë të përfshirjes me vaksinim të rregullt sidomos te fëmijët e grup-moshës 0 deri 12 muaj. “Viteve të kaluara përfshirja me imunizim në Kosovës është ngritur në 95% që është përfshirje e lartë që na bën të radhitemi mes shteteve më të suksesshme në botë”, tha Ramadani. Ai theksoi se falë vaksinimit, Kosova nuk ka sot paraliza të fëmijëve nga 1981, nuk ka difteri nga 1981, tetanos neonatal nga 1998 si dhe ka përqafuar Programin e Eliminimit të Fruthit dhe Rubellës kongjenitale.
Doajeni i imunizimit në Kosovë, profesori Jusuf Dedushaj tregoi për historikun e vështirë nëpër të cilin ka kaluar ky proces dhe sukseset e mëdha që janë arritur, falë profesionistëve shëndetësor dhe bashkëpunimit me prindërit, duke eliminuar sëmundje vaksinë preventabile.
Kurse, drejtoresha e Departamentit të Epidemiologjisë (IKSHP), njëherësh koordinatore e Programit të Imunizimit, Isme Humolli prezantoi Planin shumë vjeçar për programin e imunizimit 2017-2021 dhe të dhënat për përfshirjen në vaksinim 2015 dhe 2016.
Ajo tha se duke respektuar faktin që secili fëmijë meriton fillimin e shëndetshëm të jetës është e udhës që shtetet të shfrytëzojnë Javën e Imunizimit për të përforcuar sistemin e tyre të imunizimit , ngritjen e vetëdijes si të kujdestarëve të fëmijëve, punëtorëve shëndetësor dhe vendimmarrësve.
Po sot, për punëtorë shëndetësor që kanë dhënë kontribut të çmuar në Programin e Imunizimit në Kosovë u ndanë mirënjohje nga Ministria e Shëndetësisë.
Java e Imunizimit është organizuar nga MSh në bashkëpunim me IKSHP-në, UNICEF-in dhe partnerë të tjerë nga sektori qeveritar dhe jo-qeveritar në Kosovë.