Njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar dhe infektohen me koronavirus kanë rreth 50 për qind më pak shanse për të vuajtur nga simptoma të gjata të sëmundjes, krahasuar me njerëzit e pavaksinuar, tregon një studim i ri.
Studimi, i publikuar në revistën mjekësore Lancet, gjithashtu konfirmon se njerëzit e vaksinuar që infektohen, kanë më pak gjasa të shtrohen në spital ose të vuajnë nga simptoma të rënda.
“Kemi zbuluar se shanset për të pasur simptoma për 28 ditë ose më shumë pas infeksionit, përafërsisht përgjysmohen nëse i keni dy doza të vaksinës”, thanë studiuesit në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Edhe pse shumica e njerëzve shërohen nga infeksioni brenda disa javësh, disa njerëz përjetojnë të ashtuquajturin koronavirus të gjatë, që mund të zgjasë me javë apo edhe muaj.
Disa simptoma të zakonshme të koronavirusit të gjatë përfshijnë: lodhje, gulçim, vështirësi në të menduar, kollë, dhimbje gjoksi, humbje të shijes ose erës dhe dhimbje koke.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, që mbledh të dhëna për pandeminë, koronavirusi ka infektuar mbi 218 milionë njerëz në të gjithë botën.
Prej tyre, mbi 4.5 milionë kanë vdekur.
Në të gjithë botën janë dhënë mbi 5.3 miliardë vaksina. /rel