Ballina Arritje Vaksina potenciale e zhvilluar nga shkencëtari turk do të fillojë të testohet...

Vaksina potenciale e zhvilluar nga shkencëtari turk do të fillojë të testohet në Kinë

Vaksina eksperimentale kundër koronavirusit të ri (COVID-19), e zhvilluar nga firma e bioteknologjisë BioNTech në Gjermani, e bashkëthemeluar nga shkencëtari turk Prof. Dr. Uğur Şahin, pas Gjermanisë dhe SHBA-së, do të fillojë të testohet edhe te njerëzit në Kinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi në faqen e internetit “Clinical Trials Arena”, kompania farmaceutike Fosun Pharma, me seli në Shanghai, ka marrë miratimin nga Administrata Kombëtare Kineze e Produkteve Mjekësore (NMPA) për provat klinike të fazës së parë të vaksinës në zhvillim e sipër “BNT162b1”.

Kompania, e cila ka marrë licencën për zhvillimin dhe prodhimin serik të vaksinës në Kinë, synon të fillojë fazën e dytë dhe të tretë të testimit klinik në fund të këtij muaji, me më shumë se 30 mijë persona që do të testohen.

Vaksina e bazuar në Acidin Ribonukleik (MRNA) përmban një përbërës mbrojtës që synon krijimin e imunitetit ndaj COVID-19 tek njerëzit e moshës 18 vjeç dhe më të vjetër.

Vaksina potenciale tashmë është testuar te njerëzit në Gjermani dhe SHBA. Në provat e fazës së parë të kryera me një numër të vogël njerëzish, u raportua se vaksina ishte e sigurt dhe arriti të krijojë imunitet te të testuarit.

Kompania BioNTech, e themeluar në vitin 2008 në Mainz të Gjermanisë, punon për të zhvilluar ilaçe për disa sëmundje, përfshirë kancerin. BioNTech ofroi aksionet e saj për publikun e gjerë në bursën Nasdaq në SHBA në tetor të vitit 2019 dhe tuboi një investim prej 150 milionë dollarësh.

Kompania ka bërë marrëveshje partneriteti me gjigantin farmaceutik amerikan Pfizer dhe atë kinez Fosun Pharma për të zhvilluar dhe prodhuar vaksinë kundër COVID-19.

Provat klinike realizohen në 3 faza

Që një vaksinë të përdoret gjerësisht, duhet të testohet tek njerëzit në tri faza.

Në fazën e parë të provave klinike, hetohet nëse vaksina është e sigurt dhe ka efekte anësore të mundshme në një numër të vogël të subjekteve të shëndetshëm vullnetarë.

Në fazën e dytë testohet efektiviteti i vaksinës, besueshmëria e së cilës tashmë është konfirmuar në fazën e mëparshme, në më shumë se 100 subjekte.

Në fazën e tretë dhe të fundit, i njëjti proces përsëritet me disa mijëra subjekte. I gjithë ky proces mund të zgjasë me muaj apo edhe vite.

Ndryshe, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 23 vaksina në zhvillim e sipër kundër COVID-19 janë në fazën e zhvillimit para-klinik dhe 140 të tjera janë në fazën e testimit klinik.

Exit mobile version