“Vaksina për variantin e ri të COVID-19 e mundur brenda 6 javësh”

Vaksina e re kundër versionit të ri të koronavirusit të ri mund të zhvillohet brenda gjashtë javësh, bëri të ditur sot drejtroi ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i BioNTech, Uğur Şahin, raporton Anadolu Agency (AA).

Shkencëtari turko-gjerman, i cili zhvilloi vaksinën e parë efektive kundër COVID-19 në botë, i bëri deklaratat gjatë një konference virtuale shtypi të ndërmarrjes së tij të farmacisë.

Şahin tha se vaksina kundër COVID-19 e BioNTech ishte efektive kundër varianteve të zbuluara së fundmi të koronavirusit të ri, por shtoi se nëse bëhet e nevojshme të zhvillohet një e re, kjo mund të jetë e mundur në më pak se dy muaj.

“Në parim, bukuria e teknologjisë së dërguesit RNA është se ne mund të fillojmë direkt të krijojmë një vaksinë e cila imiton plotësisht këtë mutacion të ri. Mund të jemi në gjendje të sigurojmë një vaksinë të re, teknikisht brenda gjashtë javësh”, tha ai.

Por ai po ashtu nënvizoi se për shkak të aspekteve të tjera të prodhimit të vaksinave, të tilla si autorizimet e nevojshme nga autoritetet shëndetësore, procesi mund të zgjasë më shumë.

“Sigurisht që kjo nuk është vetëm një çështje teknike, ne duhet të merremi me çështjen, si rregullatorët, si EMA (Agjencia Evropiane e Mjekësisë), FDA (Administrata e Ushqimit dhe Barnave) dhe autoritetet e tjera do ta shihnin këtë”, tha ai.

BioNTech dhe partneri i saj Pfizer kanë zhvilluar vaksinën e parë efektive në botë kundër COVID-19 duke përdorur teknologjinë e dërguesit RNA (mRNA)

Ata përfunduan provat klinike të fazes së 3-të të vaksinës në nëntor dhe vëzhguan më shumë se 94 për qind të efikasitetit tek të rriturit e moshës 65 vjeçare e më lart.

SHBA-ja dhe Britania kanë filluar tashmë përdorimin e vaksinës së BioNTech dhe Pfizer, pasi rregullatorët shëndetësorë miratuan përdorimin e tij emergjent në këto vende.

EMA të hënën njoftoi se dha autorizimin e kushtëzuar të tregut për vaksinën BioNTech/Pfizer që do të përdoret në Bashkimin Evropian.

Shtetet anëtare të BE-së po planifikojnë të fillojnë vaksinimet midis 27-29 dhjetorit.