Vaksina kundër COVID-19, një histori e suksesit të imigracionit

Zhvillimi i kandidatit të parë të efektshëm në botë për vaksinat kundër koronavirusit të ri (COVID-19) ka kthyer vëmendjen e botës tek dy shkencëtarët turko-gjermanë të cilët arritën zbulimin e madh, raporton Anadolu Agency (AA).

Kompania farmaceutike BioNTech, të cilën në vitin 2008 e themeluan Dr. Uğur Şahin dhe gruaja e tij Dr. Özlem Türeci, së bashku me partnerin e saj amerikan Pfizer arritën të zhvillojnë një vaksinë eksperimentale që ishte më shumë se 90 për qind efektive në parandalimin e COVID-19.

Të hënën, Şahin, i cili është shef ekzekutiv i kompanisë BioNTech, njoftoi rezultatet pozitive nga provat e ‘fazës së tretë’ dhe shprehu shpresë se përpjekjet e tyre do të ndihmojnë për t’i dhënë fund krizës globale të shëndetit.

“Analiza e parë e ndërmjetme e studimit tonë global të ‘fazës së tretë’ ofron prova se një vaksinë mund të parandalojë në mënyrë efektive virusin COVID-19. Kjo është një fitore për inovacionin, shkencën dhe një përpjekje globale bashkëpunuese”, tha Dr. Şahin.

Histori suksesi imigrantësh

Suksesi i Dr. Şahin dhe Dr. Türeci, shkencëtarë të njohur në fushën e onkologjisë dhe imunologjisë në Gjermani, doli në krye të lajmeve pas njoftimit si në mediat lokale edhe në ato ndërkombëtare.

“Çifti gjerman që qëndron pas vaksinës janë një histori suksesi imigrantësh”, raportoi e përditshmja britanike “The Telegraph”, duke theksuar se dy shkencëtarët ishin nga komuniteti turk prej 3-milionësh i Gjermanisë.

E përditshmja gjermane “Der Tagesspiegel” përdori titullin “Si fëmijët e emigrantëve u bënë multi-miliarderë: Çifti pas korona-vaksinës”, duke raportuar arritjen e tyre dhe duke e përshkruar këtë si një shembull të integrimit të suksesshëm.

Të dy, Şahin dhe Türeci, kanë lindur nga prindër emigrantë nga Turqia të cilët shkuan në Gjermani në vitet e 1960-ta.

Şahin, i cili ka lindur në İskenderun të Turqisë në vitin 1965, arriti në Gjermani si një 4-vjeçar, ku babai i tij punonte në një fabrikë makinash. Ai studioi mjekësi në Universitetin e Këlnit dhe punoi disa vjet në Qendrën Mjekësore të Universitetit Saarland.

Türeci është vajza e një mjeku turk, i cili emigroi në Gjermani nga Stambolli. Ajo studioi mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Saarland dhe u bë pionere në imunoterapinë e kancerit në Gjermani.

Projekti “Lightspeed” (Shpejtësia e dritës)

Çifti themeloi kompaninë BioNTech në mënyrë që të zhvillojë një teknologji për imunoterapitë e kancerit të individualizuar.

Menjëherë pas shfaqjes së pandemisë COVID-19 në Wuhan të Kinës, Şahin dhe Türeci vendosën të përdorin njohuritë e tyre në teknologjinë e dërguesit RNA (mRNA) për të nxitur imunitetin dhe për të parandaluar infeksionet e COVID-19 në një përpjekje që ata e quajtën projekti “Lightspeed”.

Në mes të janarit, kompania bashkëpunoi me gjigantin amerikan të farmacisë Pfizer për të zhvilluar një vaksinë të mundshme kundër COVID-19.

Nëse merret miratimi rregullator, BioNTech dhe Pfizer po planifikojnë të prodhojnë deri në 100 milionë doza deri në fund të vitit 2020 dhe potencialisht mbi 1.3 miliardë doza deri në fund të vitit 2021.