Arketipi i bukurisë qiellore në tokë. Ajo të pret te pragu, ankthshëm e me gëzim! Babi do vijë. Kur hyn në derë, të kap për këmbe e të përqafon, e të shtrëngon. Të puthë në dorë, në këmbë, në flokë e faqe e në buzë. Shkrihet gjersa e shqipton “Babi t’du shum”. Si kotele, macë e vogël, të është futur në shtrat dhe e ndjen dorën e saj të vogël të të kapë për qafe. Flenë pranë teje. Si drenushë! Fillon t’i shqiptojë e marojë fjalitë e para. Mundohesh ta përbish gjersa zemra të shpërthen si vullkan nënujor, e çekanin e dashurisë gjersa të rrah në gjoksin tënd. E rritë, me shumë brenga e peripeti, duke u shkërmoqur e derdhur vitet më të mira në punë, që ajo të edukohet e të arsimohet, si më së miri. Dita ditës e sheh si bukuria e saj shpërfaqet në qenie, ta përkujton rininë dhe vegimet e bukurisë së nënës saj. Të mallëngjen për eshkën e dashurisë së parë. Teksa i kujton si puhizë që lundron si ajër mbi qetësi, një lajm i zi të përmbys qiellin mbi kokë. Ajo është shuar nga jeta, ëndrra e saj është tretur, në duart e një vrasësi. Gjoksi të ngushtohet, lëshon gjëmë e mallkimin. Kthen fytyrën kah qielli, me vrerë e pikëllim duke mos ditur ti kërkosh Atij hakmarrjen apo llogarinë. Po tani s’ka më asgjë rëndësi, me shuarjen e saj, të gjithë do bëhemi pluhur e hi.
Nga Latif Mustafa, Shkup