Uzbekistani do të trajtojë rreth 100 fëmijë dhe gra të plagosura palestineze

Autoritetet e Uzbekistanit sollën për trajtim në vend rreth 100 palestinezë të përbërë nga fëmijë, gra të plagosura dhe shoqëruesit e tyre, transmeton Anadolu.

Ambasadori i Uzbekistanit në Egjipt, Mansurbek Kilichev deklaroi se me udhëzimin e presidentit Shavkat Mirziyoyev, sollën për mjekim në Tashkent rreth 100 palestinezë, të përbërë nga fëmijë, gra të plagosura dhe shoqëruesit e tyre.

Kilichev tha se palestinezët e plagosur dhe ata të prekur nga sëmundje të ndryshme janë sjellë nën koordinimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Uzbekistanit. “Ata janë vendosur në qendra rehabilitimi dhe spitale dhe se të gjitha nevojat e tyre si akomodimi dhe ushqimi do të plotësohen për sa kohë që ata ndodhen në vend, ndërsa do të sigurohet mundësia që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë”, tha ai.

Presidenti i Uzbekistanit, Mirziyoyev në Samitin e Jashtëzakonshëm të Përbashkët të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe të Ligës Arabe që u mbajt në nëntor, tha se populli palestinez i cili ka histori të lashtë dhe të pasur, ka të drejtë të krijojë shtet të pavarur dhe të lirë bazuar në kufijtë e vitit 1967 me kryeqytet Kudsin Lindor dhe se në këtë kontekst, ata mbështesin aktivitetet e Aleancës Globale për zgjidhje me dy shtete të iniciuar nga Arabia Saudite.

Mirziyoyev theksoi se ndihma e vendeve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare duhet të rritet më tej për të parandaluar këtë krizë të paprecedentë humanitare në territoret palestineze dhe libaneze. “Shprehim gatishmërinë tonë për të trajtuar në spitalet e Uzbekistanit gratë dhe fëmijët palestinezë të plagosur në luftë”, tha ai.