Yjet e televizionit dhe vajzat e Instagramit bëjnë be e rrufe për vlerat që ka uthulla e mollës në pamjen e tyre
Sipas tyre, uthulla e mollës është efikase jo vetëm në eliminimin e puçrrave, por edhe të zbukuron fytyrën.
Së fundmi, uthulla e mollës, po këshillohet gjithandej të përdoret edhe për larjen e fytyrës.
Në rrjedhën e këtyre pretendimeve, redaksia e AgroWeb.org vendosi të provonte nëse uthulla e mollës vërtet funksionon si larës fytyre apo gjithçka është e pavërtetë.
Siç ndodh rëndom në të gjitha trajtimet e bukurisë, edhe në rastin e uthullës nuk ka studime shkencore të mjaftueshme për t’i vënë vulën pretendimit se uthulla është e mirë për lëkurën.
Megjithatë, ky produkt ka mjaftueshëm aciditet për të balancuar lëkurën që luhatet nga e thata deri në vajore.
Acidet tek uthulla gjithashtu munden të ndihmojnë në zvogëlimin e poreve duke i bërë ato më pak të dukshme.
Një vajzë 19 vjeçare e ngarkuar nga AgroWeb.org kreu këtë eksperiment duke përdorur uthullën për larjen e fytyrës për shtatë ditë me rradhë.
Lexoni më poshtë se çfarë ndodhi:
Dita e parë
Eksperimenti nisi me blerjen e një shishe uthulle molle në çmimin e 350 Lek.
Eksperimentuesja e AgroWeb.org përdori uthull për ta larë fytyrën përpara gjumit.
Ajo zëvëndësoi larësin tradicional me uthullën e mollës. Përfundimi rezultoi një tmerr i vërtetë!
Kur e lan fytyrën direkt me uthull, të duket vetja sikur ke rënë viktimë e një katastrofe në një laborator kimik.
Pasojat ishin këto: djegie sysh, skuqje dhe djegie e tmerrshme e lëkurës, nga ato kur ke qëndruar në diell për orë të tëra pasi ke zëvëndësuar kremin e diellit me vajin e ullirit.
Intensiteti i djegies u zbut me kalimin e orëve. Por eksperimentuesja ishte në mëdyshje nëse ta hidhte gjithë uthullën në lavaman dhe u pendua përse kishte dalë vullnetare për këtë eksperiment.
Dita e dytë
Eksperimentuesja arriti në konkluzionin se njerëzit me lëkurë të ndjeshme duhet të tregojnë kujdes në larjen e fytyrës me uthull. Ajo e holloi uthullën me ujë përpara se ta vinte sërish në lëkurë.
Raporti që u përdor për hollimin ishte 1 lugë çaji me uthull molle për çdo 1oo ml ujë, të distiluar ose të zier.
Kjo e zbuti aciditetin e uthullës. Në vend që ta lante fytyrën direkt me uthull, ajo e përdori tretësirën për shpëlarje.
Kësaj here, fytyra ishte pak më e thatë, por jo aq e skuqur si një ditë më parë. Megjithatë, aroma e fytyrës së saj ishte ajo e një sallate.
Dita e tretë
Pasi u zgjua, vajza vuri re se lëkura e saj ishte më e thatë se zakonisht. Ajo përdori vajra dhe kremëra për ta zbutur atë, por refuzoi ta përdorte tretësirën e uthullës atë ditë.
Dita e katërt
Ndonëse rezultatet në fytyrë nuk ishin ato që trumbetoheshin në internet, ekipi i AgroWeb.org arriti në përfundim që uthulla duhej të tretej fort në ujë dhe të përdorej vetëm si tonik.
Rrjedhimisht, vajza përdori çaj kamomili për të zbutur dhe qetësuar lëkurën.
Dita e pestë
Lëkura e eksperimentueses së AgroWeb.org ishte më e thatë se shkretëtira e Saharasë.
Ndaj në këtë ditë, vajza e përdori uthullën e tretur në ujë si tonik. Ajo përdori një pambuk dhe e njomi atë me çaj kamomili dhe uthull të tretur në ujë.
Të dyja së bashku e ledhatuan lëkurën dhe nuk shkaktuan dëme. Poret nga ana tjetër ishin zvogëluar ndjeshëm.
Dita e gjashtë
Eksperimentuesja më pas përdori tonikun edhe për larje. Fytyra nuk ishte më e irrituar.
Lëngu nuk i hoqi pikat e zeza ndërkohë që puçrat ekzistuese ishin zvogëluar dhe tharë.
Dita e shtatë
Në ditën e shtatë, vajza vendosi që ta linte fytyrën të qetë. Lëkura ishte e ndjeshme dhe e thatë, ndaj kishte nevojë për t’u rimëkëmbur.
Pas këtij eksperimenti gjashtë ditor, lëkura ndihej më e tonifikuar dhe jo e yndyrshme.
Megjithatë, pastrimi gjashtë ditor kishte luhatur vajrat natyralë të lëkurës.
AgroWeb.org arriti në konkluzionin se larja e lëkurës me tretësirë uthulle molle nuk ta bën fytyrën të mrekullueshme. Por ndikon për reduktimin e puçrave të vogla, zvogëlon poret dhe yndyrën e tepërt.
Sidoqoftë, nëse keni lëkurë të ndjeshme, uthullën mund ta përdorni të holluar, për larje dy – tri herë në javë. Por jo më tepër pasi uthulla mund ta tejthajë dhe ta irritojë lëkurën./Mesazhi/