Ushtria ukrainase: Në tre ditët e fundit kemi vrarë 77 ushtarë të Koresë së Veriut

Ushtria ukrainase pretendon se ka vrarë 77 ushtarë të Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë në tre ditët e fundit, transmeton Anadolu.

Në postimin e bërë në llogarinë e rrjeteve sociale, ushtria ukrainase dha informacion për sulmet e Forcave të Operacioneve Speciale të Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë.

Në postim thuhej se në tre ditët e fundit, Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës vranë 77 ushtarë të Koresë së Veriut, plagosën më shumë se 40 dhe shkatërruan 12 automjete dhe 3 transportues personeli në rajonin Kursk të Rusisë.

– Ukraina: U shkatërrua depoja që përmbante pjesë të dronëve në Rusi

Në deklaratën me shkrim të Drejtorisë së Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës thuhet se është shkatërruar depoja që përmbante pjesë për dronët “Shahed” të përdorura nga Rusia në sulmet kundër Ukrainës.

Më tej thuhet se magazina përmbante 65 trupa të dronëve si dhe motorë, sisteme navigimi dhe kamera termike për prodhimin e dronëve “Shahed-136”.

Pretendohet se të gjitha materialet në magazinë janë djegur ndërsa dëmet vlerësohen të jenë në 16 milionë dollarë.

“Zjarri misterioz shkatërrues ishte një tjetër goditje për kompleksin industrial ushtarak të Rusisë”, thuhet në deklaratë.