Ushtria turke me teknologji vendase pastron minat në Libi

Ekipet e Forcave të Armatosura Turke (TSK) po përdorin teknologjinë kombëtare për asgjësimin e minave dhe eksplozivëve të vendosur nga milicitë besnike të udhëheqësit të forcave të paligjshme të armatosura në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, gjatë tërheqjes nga Tripoli, raporton Anadolu Agency (AA).

Për të siguruar kthimin e sigurt të civilëve në shtëpitë e tyre, ekipet e Kërkimit dhe Asgjësimit të Eksplozivëve (EOD) po përdorin sisteme robotike të prodhimit vendas për të pastruar minat dhe eksplozivët të vendosura si kurthe nga forcat e Haftarit në zonat e banuara në Tripolin jugor.

Ekspertët turq për detonimin e eksplozivëve, të ftuar nga autoritetet libiane për të siguruar kthimin e sigurt të popullatës civile në shtëpitë e tyre, po punojnë së bashku me ushtrinë libiane duke përdorur pajisje moderne, sisteme robotike, teknologji kombëtare dhe përvojat nga sfera teknike.

Të paktën 39 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur si pasojë e minave dhe eksplozivëve artizanalë të vendosur nga forcat e Haftarit në vendbanimet civile në jug të kryeqytetit libian.

Ushtria libiane kohët e fundit u ka shkaktuar goditje të rënda forcave të Haftarit, duke çliruar tërësisht Tripolin dhe qytetin Tarhuna, si dhe vende të tjera strategjike, përfshirë bazën ajrore të Al-Watiya.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli 2019, dhe më shumë se një mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e dhunës.