Ushtria e Libisë tha se nuk është e pamundur që në vend të shpërthejë përsëri një luftë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga llogaria e medias sociale e Zyrës për shtyp të operacionit “Vullkani i Zemërimit” u postua një deklaratë nga gjeneral major Osama Al-Juwaili, komandanti i ushtrisë së Libisë për Departamentin perëndimor të operacioneve.
Në deklaratë bëhet e ditur se Al-Juwaili ka thënë se “Nëse në vend ka ende një palë që e shikon luftën si opsion, atëherë le të bëhet luftë. Ka shenja të përsëritura që lufta mund të shpërthejë përsëri”.
“Marrëveshja me Turqinë është realizuar me kërkesë të një qeverie të njohur ndërkombëtarisht”
Al-Juwaili vuri në dukje se e kanë refuzuar në mënyrë kategorike kërkesën e Komitetit të Përbashkët Ushtarak 5+5 në Libi për të pezulluar marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit të nënshkruara nga qeveria legjitime e mëparshme.
“Marrëveshja e bërë me Turqinë, është realizuar me kërkesë të një qeverie të njohur ndërkombëtarisht për të zbrapsur sulmet kundrejt Tripolit. Ndërsa Rusia dhe vendet e tjera në terren nuk miratojnë ndonjë marrëveshje me Libinë”, shtoi Al-Juwaili.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Libisë, koloneli Mohamed Qanunu, nga llogaria e tij në Twitter postoi deklaratat në fjalë të Al-Juwailit dhe i dha mbështetje.
Komiteti i Përbashkët Ushtarak 5+5 në Libi më 14 gusht i bëri thirrje Këshillit Presidencial të Libisë për “Pezullimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe memorandumet e mirëkuptimit të nënshkruara me çdo vend”. /aa