Një sulm ajror i ushtrisë izraelite la të vrarë tre palestinezë në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, raproton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se tre palestinezë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën në sulmin izraelit në Jenin.
Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu se një dron i armatosur i ushtrisë izraelite goditi lagjen Al-Damj të kampit të refugjatëve në Jenin, teksa forcat izraelite, të shoqëruara nga buldozerët, bastisën Jeninin dhe qytetet ngjitur Qabatiya dhe Burqin, duke filluan shkatërrimin e infrastrukturës atje.
Ushtria izraelite arrestoi të paktën tre palestinezë nga Jenin dhe u tërhoq nga zona pas nëntë orësh operacione ushtarake atje, shtuan dëshmitarët okularë.
Përleshje u raportuan gjithashtu midis ushtrisë izraelite dhe palestinezëve në Qabatiya, ku të paktën tre palestinezë mbetën të plagosur.
Me tre të vrarët e sotëm, numri i të vrarëve palestinezë në Bregun Perëndimor nga 7 tetori është rritur në 453. Përpos kësaj, mbi 4600 të tjerë janë plagosur nga sulmet e forcave izraelite apo kolonëve.
Tensionet janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor që kur Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake kundër Rripit të Gazës pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.