Ush’tria iz’raelite vret 2 pa’lestinezë të tjerë gjatë bastisjes në Bregun Perëndimor të pushtuar

Ushtria izraelite sot në mëngjes vrau dy palestinezë dhe plagosi katër të tjerë në një sulm me dron në kampin e refugjatëve Balata në qytetin e Nablusit në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa, sulmi me dron ndodhi ndërsa forcat izraelite bastisën kampin Balata në Nablus, duke shkaktuar përleshje me palestinezët.

Agjencia citoi burime lokale që identifikuan dy palestinezët e vrarë si Ahmad Sheikh-Khalil dhe Wael Masheh, të dy nga kampi i refugjatëve.

Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se forcat izraelite penguan lëvizjen e ambulancave për të transferuar të plagosurit në spital.

Forcat izraelite kanë kryer bastisje të rregullta nëpër zona të ndryshme të Bregut Perëndimor, të cilat janë përshkallëzuar që nga fillimi i konfliktit të Gazës më 7 tetorin e kaluar. Palestinezët janë përballur gjithashtu me sulme të dhunshme nga kolonët e paligjshëm izraelitë.

Që atëherë, të paktën 632 palestinezë janë vrarë dhe rreth 5.400 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një opinion historik më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin disadekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.