Ushtria izraelite vazhdon sulmet në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor

Sulmet e ushtrisë izraelite ndaj qytetit Jenin dhe kampit të refugjatëve Jenin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar vazhdojnë duke u rritur edhe në ditën e 7-të, raporton Anadolu.

Sipas dëshmitarëve okularë, ushtarët izraelitë mbajnë nën rrethim nga të gjitha anët kampin e refugjatëve Jenin.

Theksohet se në rajon dëgjohen zhurmat e shpërthimeve dhe të konflikteve ndërsa edhe mjetet ajrore pa pilot (dronët) janë vazhdimisht në lëvizje.

Gjithashtu thuhet se forcat izraelite vazhdojnë të shkatërrojnë shtëpitë palestineze në lagjet Al-Damaj dhe Al-Bashar.

– Izraeli po i detyron njerëzit të largohen nga rajoni

Kryetari i bashkisë së Jeninit, Mohammad Jarrar, në një deklaratë për AA tha se deri më tani 3.200 familje janë zhvendosur me forcë nga Izraeli.

Ai tha se ushtarët izraelitë bastisën shtëpitë në kampin e refugjatëve dhe kanë dhunuar të gjithë ata që ndodheshin në shtëpi, ndërsa i kanë detyruar njerëzit të largohen nga zona.

“Izraeli u ka vënë zjarrin 70 deri në 80 shtëpive në kamp dhe ka shkatërruar plotësisht 30-40 shtëpi dhe qindra të tjera pjesërisht”, tha Jarrar.

– Në sulmet izraelite në Jenin janë vrarë 16 palestinezë

Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gaza të dielën më 19 janar, ushtria izraelite më 21 janar nisi një sulm në qytetin Jenin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, të cilin e emërtoi “Muri i Hekurt”.

Në sulmet që ushtria izraelite vazhdon në qytetin Jenin dhe kampin e refugjatëve, janë vrarë 16 palestinezë ndërsa janë plagosur rreth 50 të tjerë.

Ushtria izraelite po shkakton dëme ndaj infrastrukturës së transportit, ujit, energjisë elektrike dhe të komunikimit si dhe po shkatërron shtëpitë në rajon gjatë sulmeve të saj në qytetin Jenin dhe ndaj kampit të refugjatëve.