Ushtria izraelite dogji disa shtëpi në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.
“Pesë shtëpi u dogjën në lagjen Al-Ghaber në kampin Jenin”, tha një dëshmitar okular për Anadolu.
Sulmi erdhi ndërsa ushtria vazhdoi operacionin e saj ushtarak për të tretën ditë radhazi në Jenin, duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur 40 të tjerë.
Ushtria izraelite tha se operacioni në Jenin, i koduar si “Muri i hekurt”, pritet të zgjasë disa ditë.
Mediat izraelite thonë se sulmi në Jenin është pjesë e një manovre politike e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të qetësuar ministrin e Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, i cili kundërshtoi armëpushimin e fundit të Gazës. Mediat thonë se Netanyahu ka premtuar sulmin për të parandaluar dorëheqjen e Smotrichit, gjë që mund të rrëzojë qeverinë.
Tensionet kanë qenë të larta në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku që nga 7 tetori 2023 janë vrarë mbi 47.000 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 110.700 të tjerë janë plagosur.
Të paktën 873 palestinezë janë vrarë dhe mbi 6.700 janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi i të burgosurve hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke pezulluar luftën izraelite në enklavën palestineze.
Në korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin disadekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.