Ush’tria iz’raelite tërhiqet nga pjesa lindore e Deir Al-Balah duke lënë pas shumë të vr’arë

Ushtria izraelite u tërhoq nga pjesa lindore e qytetit Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës pas sulmeve të dhunshme që vazhduan për 5 ditë duke lënë pas shumë të vrarë dhe një shkatërrim të madh, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, ushtria izraelite u tërhoq nga pjesa lindore e Deir Al-Balah. Ushtarët gjatë kësaj shënjestruan palestinezët që përpiqeshin të kthehen në shtëpitë e tyre. Thuhet se në sulme ka të vrarë dhe të plagosur.

Ushtarët izrelitë hodhën në erë shumë shtëpi para se të tërhiqen nga rajoni si dhe dëmtuan me buldozerë zonat e banuara dhe tokat bujqësore. Ekipet shëndetësore që mundën të mbërrijnë në rajon, u përballën me trupat e pajetë të shumë palestinezëve në zonën e cila gjatë 5 ditëve ka qenë në objektivin e sulmeve intensive të ushtrisë izraelite.

Ekipet shëndetësore vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit ndërsa nuk është dhënë ende ndonjë informacion lidhur me numrin e të vrarëve ose të plagosurve.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza në një deklaratë dje njoftoi se në sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani janë vrarë 37.084 palestinezë, mes të cilëve të paktën 15.517 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa janë plagosur 84.494 persona të tjerë.