Zyra për media e autoriteteve lokale të Gazës ka bërë të ditur se ushtria izraelite ka shkaktuar vdekjen e 13 pacientëve në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit Al-Shifa në Gaza, duke i privuar ata nga ilaçet, oksigjeni dhe ushqimi, transmeton Anadolu.
“Ushtria izraelite vrau me paramendim 13 pacientë, duke u mohuar atyre ilaçet, infuzionet, energjinë elektrike dhe oksigjenin, që kur pushtoi spitalin për të katërtën ditë radhazi”, tha zyra për media.
Në njoftim theksohet se kishte 22 pacientë, përfshirë 13 të cilët u shpallën të vdekur, në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit Al-Shifa, të cilët kishin nevojë për kujdes të specializuar mjekësor.
“Ka pacientë dhe njerëz të plagosur brenda spitalit Al-Shifa, plagët e të cilëve janë kalbur për shkak të mungesës së mjekëve, infermierëve dhe fashimit të plagëve”, thuhet në njoftim.
Më tej, theksohet se përgjegjës për këto krime kundër pacientëve, personelit mjekësor dhe popullit palestinez është administrata amerikane, komuniteti ndërkombëtar dhe Izraeli.
Bastisja e ushtrisë izraelite në spitalin Al-Shifa vazhdoi për të katërtën ditë radhazi, duke vënë në rrezik jetën e më shumë se 7 mijë pacientëve dhe personave të zhvendosur.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.
Afër 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 74.200 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.