Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ushtria izraelite rrethon spitalin “Kamal Adwan” në Gaza dhe kërkon evakuimin

Ushtria izraelite rrethon spitalin “Kamal Adwan” në Gaza dhe kërkon evakuimin

Ushtria izraelite rrethoi spitalin “Kamal Adwan” në Rripin e Gazës dhe kërkoi që personeli mjekësor dhe të plagosurit të evakuohen, raporton Anadolu.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, ushtria izraelite ka rrethuar spitalin “Kamal Adwan” në qytetin Beit Lahia në veri të Gazës. Sipas informacionit që gazetari i AA-së ka marrë nga burimet lokale, ushtria izraelite i kërkoi drejtorit të spitalit “Kamal Adwan”, Hussam Abu Safiya që të nxjerrë jashtë personelin dhe të plagosurit.

Pasi u dhanë 15 minuta kohë që personeli mjekësor dhe të plagosurit të dilnin në sheshin përballë spitalit, thuhet se ushtarët izraelitë më pas do të kryejnë bastisje brenda spitalit. Burimet lokale thanë se komunikimi i tyre me drejtuesit e spitalit është ndërprerë dhe se në spitalin “Kamal Adwan” ku Izraeli po përgatitet për bastisje ndodhen 350 persona të personelit mjekësor dhe të plagosur.

Ndërkohë seksioni i arkivave të spitalit është përfshirë nga zjarri si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtria izraelite në mëngjes. Të paktën 50 palestinezë, mes të cilëve 5 anëtarë të personelit mjekësor, humbën jetën në sulmet e djeshme rreth spitalit nga ushtria izraelite, e cila prej javësh ka rrethuar dhe ka sulmuar rajonin.

– Plani i Izraelit për të “shkatërruar” veriun e Gazës

Ushtria izraelite zhvendos me forcë palestinezët në rajon duke lëshuar shpesh “urdhra evakuimi” për shumë rajone, veçanërisht në veri të Rripit të Gazës. Me urdhrat e evakuimit që ka lëshuar posaçërisht për veriun thuhet se Izraeli po përpiqet të zbatojë planin e quajtur “Plani i Gjeneralëve”.

Plani në fjalë parashikon dëbimin e palestinezëve nga veriu i Rripit të Gazës, më pas rrethimin e zonës dhe ndalimin e hyrjes së ushqimit, karburantit dhe ujit të pastër në zonë.

Gjithashtu, plani përfshin që luftëtarët e rezistencës së armatosur të detyrohen të zgjedhin midis “vdekjes ose dorëzimit” dhe “trajtimin si elementë armik” të palestinezëve që nuk largohen ose nuk mund të largohen nga rajoni.

Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 janë vrarë 45.399 palestinezë, përfshirë 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra ndërsa 107.940 persona të tjerë u plagosën.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku janë strehuar njerëzit.

Exit mobile version