Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ushtria izraelite qëllon kamerën, sulmon gazetarët në kampin Jenin

Ushtria izraelite qëllon kamerën, sulmon gazetarët në kampin Jenin

Ushtria izraelite sulmoi gazetarët gjatë bastisjes dhe operacioneve në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.

Ushtarët izraelitë qëlluan drejtpërdrejt në kamerën e vendosur nga reporteri që ndiqte situatën në zonë, me ç’rast u shkatërruan pajisjet që përdorte gazetari i TV Al-Arabi.

Rrethimi dhe sulmet e ushtrisë izraelite në qytetin e pushtuar të Jeninit të Bregut Perëndimor vazhdojnë edhe sot. Sulmet ajrore dhe tokësore të nisura dje nga forcat izraelite në kampin e refugjatëve në Jenin kanë hyrë në ditën e dytë.

Të paktën 10 palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve, kurse rreth 100 të tjerë janë plagosur, 20 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë deklaroi se ushtarët izraelitë vranë një tjetër palestinez mëngjesin e sotëm në rajonin Merc bin Amir.

Sipas ushtrisë izraelite, ushtria dhe Agjencia e Inteligjencës së Brendshme Shin-Bet (Shabak) vazhduan aktivitetet e tyre ushtarake në Jenin dhe kampin e refugjatëve në qytet.

Ushtria izraelite njoftoi se kreu 20 sulme ajrore, nga të cilat rreth gjysma ishin sulme në zona të hapura për të mundësuar lëvizjen e trupave, ndërsa sulmet tjera u kryen për të eliminuar kërcënimet në zonë.

Më tej nga ushtria izraelite thonë se janë gjetur dhe asgjësuar një depo e lëndëve plasëse, dy dhoma për menaxhimin e operacioneve luftarake dhe disa lëndë plasëse.

Exit mobile version