Ushtria izraelite pretendon se ka vrarë komandantin e Sektorit Perëndimor të Hamasit, Hassan Farhat, në një sulm ajror në qytetin jugor Sidon të Libanit, transmeton Anadolu.
Sipas zëdhënësit të ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, sulmi që ndodhi mbrëmë, kishte në shënjestër Farhatin, i cili u akuzua për “orkestrimin e disa sulmeve kundër forcave izraelite”.
Adraee tha se Farhat dyshohet se ishte përgjegjës për “nisjen e sulmeve me raketa drejt qytetit izraelit Safed më 14 shkurt 2024, që rezultoi me vdekjen e një ushtari dhe plagosjen e disa të tjerëve”.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se një “sulm ajror izraelit ndaj një apartamenti në Sidon herët në mëngjes vrau tre persona”, por pa detaje të mëtejshme.
Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi në Liban që nga nëntori i vitit të kaluar, duke i dhënë fund muajve të luftës ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut, e cila u përshkallëzua në një konflikt në shkallë të plotë shtatorin e kaluar.
Autoritetet libaneze raportuan mbi 1.360 shkelje izraelite të armëpushimit, përfshirë të paktën 117 viktima dhe mbi 363 të plagosur.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqet plotësisht nga Libani jugor deri më 26 janar, por afati u zgjat deri më 18 shkurt pasi refuzoi t’i përmbushë detyrimet ndaj marrëveshjes. Tel Avivi ende mban një prani ushtarake në pesë pika kufitare.