Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ushtria izraelite përcakton rreth 30 për qind të Gazës si “perimetër të...

Ushtria izraelite përcakton rreth 30 për qind të Gazës si “perimetër të sigurisë operacionale”

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka përcaktuar rreth 30 për qind të Rripit të Gazës si një “perimetër të sigurisë operacionale”, duke u ndaluar hyrjen e palestinezëve në këto zona për shkak të operacioneve të zgjeruara tokësore, transmeton Anadolu.

Ushtria izraelite tha se ka arritur “kontroll të plotë operacional” mbi disa zona dhe korridore kyçe në të gjithë enklavën.

Zonat e tilla u referohen zonave nga të cilat palestinezët janë zhvendosur me forcë dhe tani janë të ndaluar të kthehen. Forcat izraelite janë vendosur nëpër pjesë të këtyre zonave, që janë zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme që kur Izraeli rifilloi ofensivën më 18 mars.

Më tej, ushtria gjithashtu tha se ka zgjeruar kontrollin e saj mbi “Korridorin Morag”, i cili ndan qytetet jugore Rafah dhe Khan Younis, duke shtuar se tre divizione ushtarake aktualisht po marrin pjesë në operacionet tokësore në enklavë.

Ushtria paralajmëroi se është e “përgatitur të zgjerojë operacionin tokësor në përputhje me zhvillimet operacionale”.

Sipas ushtrisë, që nga 18 marsi më shumë se 1.200 objektiva janë goditur me afër 350 avionë luftarak dhe avionë të tjerë, me mbi 100 “eliminime të shënjestruara” të kryera.

Organizatat palestineze dhe ndërkombëtare kanë akuzuar Izraelin se ka shënjestruar në mënyrë disproporcionale civilët, duke përfshirë familjet e zhvendosura që strehohen në tenda, shtëpi, spitale dhe institucione civile.

Më 18 mars, ushtria izraelite rifilloi sulmet vdekjeprurëse në Gaza, duke thyer një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që u arrit në muajin janar.

Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 51 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza nga sulmet izraelite.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Exit mobile version