Ushtria izraelite ndërton një barrierë të re në kufirin me Gazën

Ushtria izraelite ka filluar të ndërtojë një barrierë të re në kufirin e bllokuar të Rripit të Gazës për të parandaluar palestinezët që të afrohen në murin e ngritur më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Faqja izraelite e lajmeve “Walla” publikoi një lajm në lidhje me punën e ushtrisë izraelite pranë kufirit me Gazën.

Në lajm thuhet se mbrëmë ekipet inxhinierike në ushtrinë izraelite filluan të ndërtojnë një barrierë të re në kufirin e Gazës, duke e bërë të vështirë për palestinezët që t’u afrohen ushtarëve.

Në lajm pretendohet se hapi në fjalë erdhi pasi “një palestinez hapi zjarr mbi një snajper izraelit përmes një vrime në mur”.

“U vendos që snajperët ushtarakë të shënjestrojnë demonstruesit palestinezë të armatosur nga distanca më të gjata, jo vetëm përgjatë murit”, theksohet më tej.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar mbi natyrën e barrierës që filloi të ndërtohej në kufi.

Ngjarjet në kufirin e Gazës

Në një deklaratë me shkrim të bërë nga policia izraelite, thuhet se mbrëmjen e 21 gushtit një ushtar i lidhur me policinë kufitare u plagos rëndë si pasojë e të shtënave me armë gjatë incidenteve në kufirin e Gazës.

Si përgjigje ndaj kësaj, ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur me aeroplanë luftarakë 4 objektiva që i përkisnin Brigadave Izz-ed-Din al-Qassam, krahut ushtarak të Hamasit.

Në të njëjtën ditë, për shkak të 52-vjetorit të djegies së Mesxhid al-Aksa nga një hebre fanatik në vitin 1969, ushtarët izraelitë ndërhynë me armë zjarri dhe bomba gazi lotsjellës mbi palestinezët që po demonstronin në kufirin e Gazës, dhe u njoftua se u plagosën 41 palestinezë, 22 prej të cilëve ishin fëmijë.

Një fanatik me origjinë australiane, Dennis Michael Rohan, më 21 gusht 1969 hyri në Xhaminë Al-Aksa dhe dogji mihrabin dhe minberin mijëvjeçar të Xhamisë së Kibles. /aa