Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra evakuimi për banorët e disa lagjeve në periferitë jugore të Bejrutit derisa Izraeli vazhdon sulmet ajrore dhe tokësore ndaj vendit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në një deklaratë pretendon se banorët “ndodhen afër banesave dhe interesave që i përkasin Hezbollahut, kundër të cilave ushtria izraelite do të veprojë në të ardhmen e afërt”.
Urdhrat vënë në shënjestër lagjet si Haret Hreik dhe Tahoutat al-Ghadir, të cilat janë shtëpia e mijërave civilëve libanezë.
“Ju duhet patjetër menjëherë të evakuoni ndërtesat dhe strukturat ngjitur, si dhe të distancoheni nga ato me të paktën 500 metra”, tha Adraee.
Izraeli po zhvillon fushatë masive ajrore në Liban që nga muaji i kaluar kundër atyre që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, në një përshkallëzim nga një vit i plotë lufte ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit libanez që nga fillimi i ofensivës brutale izraelite në Rripin e Gazës.
Që nga tetori i vitit të kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, të paktën 2.800 njerëz janë vrarë dhe afër 13 mijë të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite.
Izraeli zgjeroi konfliktin më 1 tetor të këtij viti duke nisur një inkursion në jug të Libanit.