Ushtria e Izraelit kreu sulme ajrore në disa pika në Rripin e Gazës nën bllokadë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në rajon u rritën tensionet pas protestave që mbajtën qindra palestinezë të mbledhur në kufirin Gaza-Izrael.
Ushtria izraelite teksa njoftoi dërgimin e njësive përforcuese në kufirin me Gazën, mësohet se edhe grupet e rezistencës palestineze kaluan në gjendje alarmi.
Ushtria izraelite zhvilloi sulme ajrore në Rripin e Gazës disa orë pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz deklaroi se do të kundërpërgjigjen për ushtarin izraelit që u qëllua dje gjatë protestave në kufi.
Siç raportoi gazetari i AA-së në rajon, mësohet se pas sulmit në Gaza ndodhën shpërthime në disa pika.
Ndërsa sipas medias palestineze theksohet se në mesin e vendeve që u goditën ndodhet edhe kampi i refugjatëve Al-Shati në bregdet dhe zona Nuseirat në pjesën e qendrore të Gazës.
Në anën tjetër në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se 4 objektiva që i përkasin Brigadave Izz ad-Din Al-Qassam, krahut ushtarak të Hamasit janë goditur me avionë luftarakë si kundërpërgjigje për plagosjen e një ushtari të policisë kufitare si pasojë e një zjarri të hapur drejt anës së Izraelit gjatë protestave dje në kufi.
Zhurma e dronëve izraelitë që fluturuan mbi Rripin e Gazës për gati dy orë vazhdon të dëgjohet në të gjithë rajonin.
Bëhet e ditur se dje 41 palestinezë dhe një ushtar izraelit u plagosën në protestat që u mbajtën mbrëmë në kufirin e Rripit të Gazës nën bllokadë me rastin e 52 vjetorit të djegies së Xhamisë Aksa në vitin 1969 nga një hebre.
Ushtria izraelite më 19 gusht mori vendim që të rrisë forcat e saj në kufirin me Gazës.
Dennis Michael Rohan, hebreu fanatik me origjinë australiane, më 21 gusht 1969 hyri në Xhaminë Aksa dhe dogji mihrabin e xhamisë së Kibles dhe mimberin 1000 vjeçar Salahaddin. /aa