Ushtria izraelite i detyron sërish palestinezët të migrojnë duke i kërcënuar me sulme

Ushtria izraelite po i detyron palestinezët në Gaza të migrojnë sërish duke përsëritur kërcënimin e saj se do të sulmojnë, raporton Anadolu.

Pavarësisht kushteve të motit të ftohtë, palestinezët u nisën drejt zonave që mendojnë se janë më të sigurta për ta.

Palestinezët kaluan përgjatë rrugës bregdetare, bulevardit Al-Rashid bashkë me sendet që mundën të merrnin me vete.

Ushtria izraelite ka përsëritur kërcënimin e saj duke lëshuar fletëpalosje nga ajri me avion për të zhvendosur me forcë palestinezët nga Khan Younis në jug të Rripit të Gazës dhe nga lagjet Khuza, Absan Kabira dhe Absan Jadida të Beit Hanoun në veri të Rripin të Gazës.

Në fletëpalosjet që përfshijnë kërcënime se palestinezët duhet të evakuojnë menjëherë zonën, theksohet se do të fillojë një sulm i dhunshëm, duke pretenduar se “do të shënjestrohet Hamasi”.

Ushtria izraelite publikoi gjithashtu një hartë në të cilën janë të shënuara me të kuqe zonat nga ku kërkon që palestinezët të zhvendosen me forcë.

Harta të tilla që përmbajnë udhëzime për palestinezët që të detyrohen të migrojnë brenda Gazës, ushtria izraelite i ka publikuar edhe gjatë sulmeve të saj, të cilat filluan më 7 tetor 2023 dhe vazhduan deri në armëpushimin më 19 janar 2025.

Sipas shifrave të ndara nga OKB-ja, 90 për qind e rreth 2,3 milionë palestinezëve në Gaza janë zhvendosur të paktën një herë nga ushtria izraelite në Gaza.

Gjatë sulmeve 15-mujore të Izraelit në Gaza, shprehja “Nuk ka vend të sigurt në Gaza” u theksua shpesh nga zyrtarët e OKB-së.

Pas armëpushimit, më 18 mars ushtria izraelite nisi sërish sulme të dhunshme në Rripin e Gazës, duke prishur armëpushimin e arritur më 19 janar.

Që nga tetori i vitit 2023 e deri më tani në sulmet izraelite janë vrarë rreth 50 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur mbi 112 mijë të tjerë.