Ush’tria iz’raelite hakon kullën e kontrollit të aeroportit të Bejrutit, kërcënon aeroplanin civil iranian

Ushtria izraelite ka hakuar kullën e kontrollit të Aeroportit Ndërkombëtar Rafic Hariri të Bejrutit, duke kërcënuar një aeroplan civil iranian që tentoi të ulej, raporton Anadolu.

Ministria e Transportit e Libanit udhëzoi autoritetet e aeroportit që të parandalojnë hyrjen e aeroplanit iranian në hapësirën ajrore libaneze pas kërcënimeve izraelite për të shënjestruar aeroplanin nëse ai ulet në aeroport.

Burime brenda ministrisë libaneze konfirmuan për Anadolu se direktiva u dha pas qëndrimit agresiv të ushtrisë izraelite.

Nuk ka ende asnjë koment nga pala izraelite mbi raportet në fjalë.

Megjithatë, disa orë më parë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, paralajmëroi se ushtria “nuk do të lejojë që asnjë armë të transferohet te Hezbollahu”, duke përfshirë “përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Bejrutit”.

“Ne nuk do të lejojmë transferimin e armëve te Hezbollahu në asnjë formë. Ne jemi të vetëdijshëm për transferimet e armëve iraniane në Hezbollah dhe do të punojmë për t’i penguar ato. Ne deklarojmë se nuk do të lejojmë avionët armiqësorë që mbajnë armë të ulen në aeroportin civil në Bejrut. Ky është një aeroport civil për përdorim civil dhe duhet të mbetet i tillë”, tha Hagari.

Ministri libanez i Punëve Publike dhe Transportit, Ali Hamieh, mohoi pretendimet izraelite se Aeroporti Ndërkombëtar i Bejrutit po përdoret për t’i dorëzuar armë Hezbollahut.

Hamieh tha se aeroporti është “ekskluzivisht civil”, duke shtuar se “trafiku ajror ushtarak në aeroportin e Bejrutit i nënshtrohet vetëm miratimit të ushtrisë libaneze”.

Më herët, ushtria izraelite pretendoi “likuidimin” e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një sulm ajror së fundmi në periferinë jugore të Bejrutit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në platformën sociale X tha se Nasrallah ishte “likuiduar” gjatë një operacioni që shënjestroi komandën qendrore të Hezbollahut që ndodhet nën një ndërtesë banimi në periferitë jugore të Bejrutit.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, ku që nga tetori i kaluar janë vrarë të paktën 41,600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.