Ushtria izraelite ka filluar përgatitjen për një tërheqje nga Korridori i Filadelfit përgjatë kufirit midis Gazës dhe Egjiptit derisa pret finalizimin e marrëveshjes së shumëpritur të shkëmbimit të pengjeve dhe të burgosurve, transmeton Anadolu.
“Takime dhe vlerësime të situatës u mbajtën në Komandën Jugore të ushtrisë izraelite gjatë 24 orëve të fundit në përgatitje për një tërheqje graduale nga Rripi i Gazës pasi marrëveshja e armëpushimit fillon të hyjë në fuqi”, tha transmetuesi publik izraelit KAN.
Duke cituar një burim të paidentifikuar të sigurisë, transmetuesi izraelit tha se “ushtria izraelite po përgatitet të tërhiqet nga ana palestineze e kalimit Rafah menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes”.
“Tërheqja izraelite nga Korridori i Filadelfit (përgjatë kufirit Gaza-Egjipt) është koordinuar me zyrtarë të sigurisë izraelite, egjiptiane dhe amerikane”, tha media izraelite.
Transmetuesi gjithashtu tha se “ushtria do të tërhiqet nga Korridori i Filadelfit brenda ditëve të para pas nënshkrimit të marrëveshjes me Hamasin”.
Megjithatë, tha transmetuesi, ushtrisë “mund t’i marrë deri në një javë për të çmontuar pozicionet e saj dhe infrastrukturën që ka krijuar në aksin Netzarim në Gazën qendrore”.
Më tej, sqarohet se “ushtria po përgatitet të krijojë një zonë tampon përgjatë kufirit me Rripin e Gazës dhe tashmë ka shkatërruar të gjitha ndërtesat në një zonë më shumë se një kilometër të gjerë përgjatë kufirit”, por nuk specifikoi drejtimin.
Pavarësisht se përmendi akset Netzarim dhe Filadelfi, si dhe kalimin Rafah, transmetuesi izraelit nuk diskutoi gatishmërinë e ushtrisë për t’u tërhequr nga pjesa veriore e Gazës.
Sot më herët, Katari tha se negociatat për armëpushimin në Gaza janë në “detajet e tyre përfundimtare” dhe se shpallja e një marrëveshjeje është i “afërt”.
“Një projekt-marrëveshje i është dorëzuar Hamasit dhe Izraelit dhe janë adresuar pengesat kryesore për çështjet kryesore të diskutueshme midis dy palëve”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Majed al-Ansari, në një konferencë për media në Doha.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, Izraeli vazhdon luftën kundër Gazës, ku ka vrarë të paktën 46.600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Në muajin nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallat, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.