Të paktën 12 palestinezë, përfshirë fëmijë, humbën jetën pasi ushtria izraelite bombardoi tendën ku qëndronin palestinezët e zhvendosur në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, forcat izraelite bombarduan zonën Al-Mawasi, që ndodhet në perëndim të Khan Younis.
Si pasojë e bombardimeve të avionëve luftarakë izraelitë në çadrën e palestinezëve të zhvendosur, humbën jetën 12 palestinezë, përfshirë mes tyre fëmijë si dhe u plagosën shumë të tjerë.
Ushtria izraelite kreu sulme ajrore në zona të ndryshme të qytetit Rafah në jug të Gazës.
Një katastrofë e madhe humanitare po përjetohet në Rripin e Gazës, me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh, ku ushtria izraelite që nga 7 tetori 2023 e deri më tani ka vazhduar sulmet e saj duke vënë në objektiv vendbanimet civile, spitalet, shkollat dhe strehimoret ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur si dhe ku ka dënuar popullin me uri duke penguar hyrjen e ndihmave humanitare.
Që nga 7 tetori e deri më tani në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë 32.414 palestinezë, mes të cilëve të paktën 14.280 fëmijë dhe 9.340 gra ndërsa janë plagosur 74.787 persona.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur dhe se po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.