Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) deklaruan të shtunën vonë se Ushtria e Lirë Siriane (ULS) ka marrë nën kontroll 10 rajone në veri të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se rajonet e çliruara janë Arap Izzah, El Fursan, Al Athariyah, Sheikh Yakoub, Vukuf, Ayyasa, përfshirë rajonet Al Mutminah, Idalat, Talyah Darbiyah, dhe aeroportin Kubba Turkuman në rajonin El Rai.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se ULS e cila kryen operacionet me përkrahje të forcave të koalicionit ka përparuar dukshëm në terren në ditën e 11-të të operacionit “Mburoja e Eufratit” i cili filloi më 24 gusht.
Sipas deklaratës në fjalë, forcat ajrore turke kanë sulmuar dhe shkatërruar dy objektiva të DAESH-it në rajonin Vukuf.
Operacioni “Mburoja e Eufratit” i cili nisi më 24 gusht ka për qëllim të përmirësojë situatën e sigurisë, të përkrahë forcat e koalicionit si dhe të eliminojë kërcënimet terroriste përgjatë kufirit të Turqisë përmes luftëtarëve të ULS-së të cilët kanë përkrahjen e artilerisë dhe aviacionit turk.