Ushtria e Azerbajxhanit çliron nga pushtimi armen qytetin Fuzuli

Presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev njoftoi se nga pushtimi armen është çliruar qyteti Fuzuli dhe disa fshatra, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim drejtuar popullit, Aliyev tha se nga pushtimi armen u çliruan qendra e qytetit Fuzuli dhe fshatrat Koçahmetli, Çimen, Cuvarlı, Pirahmetli, Musabeyli, Ishikli dhe Dedeli.

Ushtria e Azerbajxhanit në operacionin e filluar për çlirimin e territoreve të saj edhe më parë ka pastruar nga forcat armene disa fshatra të Fuzulit.

Qendra e qytetit Fuzuli dhe shumica e fshatrave të tij u pushtuan nga ushtria armene në vitin 1993.

Në Fuzuli i cili ka një sipërfaqe prej 1.386 kilometra katrorë jetonin 144 mijë azerbajxhanas para pushtimit të tij.

Qyteti Fuzuli përballë forcave armene ka dhënë mbi 1.100 dëshmorë në vitet 1990. Në sulmet armene u plagosën rreth 1.500 qytetarë të Fuzulit ndërsa 155 fëmijë humbën nënat dhe baballarët.

Vetëm 20 fshatra nuk u pushtuan nga qyteti Fuzuli i cili përbëhet nga qendra e qytetit, 1 komunë dhe 75 fshatra.